Rajoni i Anamoravës shtrihet në trekëndëshin kufitar Kosovë – Maqedoni – Serbi. Kurse, me gjithë vullnetin e palës kosovare dhe banorëve që jetojnë në këtë brez kufitar, në këtë rajon ka shumë pak vendkalime kufitare, të cilat do të mund t’i bashkonin shqiptarët.
Aktualisht me Serbinë në këtë rajon funksionojnë dy vendkalime kufitare zyrtare, te “Dheu i Bardhë” që lidhë Komunën e Gjilanit me atë të Bujanocit dhe në Muçibabë me Komunën e Preshevës.
Nga Kosova në Serbi mund të kalohet edhe nëpërmjet rrugës së asfaltuar te punkti i Muhocit dhe ai i Dobrosinit, por këto vendkalime nuk janë zyrtare, derisa është paralajmëruar se shumë shpejt mund të hapet edhe një vendkalim i ri kufitar, ai në mes të komunës së Kamenicës dhe asaj të Medvegjës, te vendi i quajtur “Kapija”, gjë për të cilën kanë rënë në ujdi edhe delegacionet që kanë bashkëbiseduar në Bruksel, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Në pjesën që kufizohet me Maqedoninë, Anamorava nuk ka ndonjë vendkalim kufitar zyrtar. Andaj ndonëse fshatrat e Vitisë janë ngjitur me ato matanë kufirit, për të shkuar deri te to, duhet të kalohen më shumë se 100 kilometra, për të arritur deri te vendkalimi kufitar zyrtar në Han të Elezit.
Komuna e Gjilanit dhe ajo e Kumanovës, me insistimin edhe të ndërkombëtarëve, kaherë kishin rënë në ujdi që të lidhen në mes vete nëpër vendkalimit kufitar të Stanqiqit, por ndonëse në fillim kishte një vullnet të shtuar nga të dy palët, më vonë pala maqedonase sikurse nuk pati interesim dhe asnjëherë nuk e kreu detyrën e saj për të asfaltuar rrugën që dërgon deri në kufi.
Marrëveshja ishte trashur edhe më shumë kur për të ishin zotuar edhe qeveritë e dy vendeve, porn ë terren punët po lëvizin ngadalë.
Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, thotë se komuna që drejton ai i ka kryer të gjitha punët që i përkisnin asaj. Ai beson se hapja e vendkalimit kufitar në Stanqiq, që do të afronte shumë Gjilanin me Kumanovën, do të mundë të ndodhë në shtator.
Ai ka paralajmëruar një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, të cilin do ta njoftojë se Komuna e Gjilanit është e gatshme për hapjen e kufirit. Fatmir Matoshi, nënkryetar i Komunës së Kamenicës, thotë se hapja e një pike të re kufitare në mes të Komunës së Kamenicës dhe asaj të Medvegjës ka qenë një nevojë e kahershme dhe kjo tashti po bëhet realitet me realizimin e pikës kufitare ndërkomunale Kamenicë-Medvegjë, në afërsi të fshatit Sfircë, te vendi i quajtur “Kapija”.