Një efektiv i forcave speciale të RENEA-s humbi jetën në fshatin e Lazaratit, ndërsa dy efektivë të tjerë janë plagosur. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Gjirokastrës.
Sipas njoftimit të policisë, efektivi i RENEA-s u qëllua me plumb në kokë nga një prej banesave të fshatit Lazarat. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA ishin në aksion për kapjen e personave që qëlluan në mesnatë, në qendër të fshatit.
Incidenti i rëndë vjen një vit pas superaksionit antikanabis, të ndërmarrë nga Policia e Shtetit. Për herë të parë policia ndërhyri në fshatin famëkeq, të njohur për kultivimin e kanabisit duke bërë të mundur çrrënjosjen e bimëve narkotike.
FNSH dhe policia tentuan ditën e sotme të hynin në brendësi të fshatit, por u sulmuan nga disa banorë me armë zjarri të rënda si, automatik dhe snajper. Ndërkohë që, janë mobilizuar FNSH-ja e Fierit dhe e Tiranës, forcat speciale dhe operacione, të cilat janë nisur drejt fshatit të Gjirokastrës.
21:00- Ndërpritet operacioni në Lazarat për shkak të rrezikshmërisë që paraqet situata në orët e vona të kësaj nate. Polica e Shtetit ka njoftuar se është ndërprerë operacioni në Lazarat për shkak të errësirës dhe për të mos rrezikuar forcat e policisë dhe banorët.
Gjithsesi, Policia thekson se, pikat hyrëse-dalëse të fshatit të Lazaratit do të vazhdojnë të kontrollohen dhe postoblloqet do të vazhdojnë të jenë të ngritura. Operacioni nga RENEA dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë do të rifillojë nesër. Policia në Lazarat ka instaluar kamera termike për identifikimin e të kërkuarve.
Ndërkohë ka shkuar në 11 numri i personave që janë arrestuar, nga lista e të kërkuarve. Të arrestuarit janë:
Zhaklin Derxhi 18 vjeç, Gurim Skenderi 29 vjeç, Albon Meci 20 vjeç, Denis Mahmutaj 19 vjeç, Eligent Basha 21 vjeç, Sinan Rabaj 30 vjeç, Jeton Kalemi 21 vjeç, Xhuljano Nuri, Fatmir Gerveshi, Xhemil Gjolleshi dhe Rustem Mahmutaj 20 vjeç.
Ndërkohë Xhuliano Malo është 17-vjeçari i cili u arrestua para se oficeri të vritej në Lazarat, pasi në automjetin me të cilin udhëtonte kishte një sasi armësh.