MagazinaTech / Shkencë
Telenorit nga Beogradi i Refuzohet Aplikimi për 4G në Kosovë
Kërkesa e kompanisë të telefonisë mobile Telenor, nga filiali i Serbisë, për të aplikuar për licencën 4G në Kosovë, është refuzuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP).
Më herët ARKEP publikoi një ftesë për operatorët e telefonisë mobile që të aplikonin për t’u pajisur me këtë licencë për marrjen e frekuencave 1800 MHz.
Pas shqyrtimit të kërkesave të paraqitura, ARKEP njoftoi dokumentet e dorëzuara nga operatorët ekzistues të telefonisë së lëvizshme në Kosovë, IPKO Telecommunications dhe PTK, si aplikime nga operatorë të kualifikuar.
Por i njëjti institucion vlerësoi se ofertuesi nga Beogradi, Telenor, nuk i ka përmbushur kriteret për marrje në shfrytëzim të këtyre resurseve.
“Telenor nuk i përmbush kriteret dhe kushtet për marrje në shfrytëzim të resurseve pasi që i njëjti nuk është në posedim të Autorizimit të Përgjithshëm, respektivisht nuk ka kryer dhe respektuar procesin e notifikimit si parakusht ligjor dhe rregullator për aplikim për resurse frekuencore për operime të autorizuara në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e ARKEP-it.
Telenori, themeluar fillimiht në Norvegji, prezantohet një kompani që është e pranishme në 13 tregje të Europës dhe në Azi, ndërsa në degën e Serbisë, 25% të aksioneve i ka shteti.
Sipas ARKEP’it në vazhdim të procedurës për ndarjen e resurseve shtesë frekuencore do të njoftohen palët e interesuara dhe publiku.
Frekuenca 4G mundëson shpejtësi tepër të lartë të transmetimit të të dhënave, krahasuar me brezin 3G, dhe shumica e vendeve ofrojnë licenca kundrejt tarifave prej dhjetëra milionë euro për licenca të tilla.
Në Kosovë, e cila zyrtarisht vlerësohet nga banka Botërore si vendi më varfër në Europë, këto licenca janë falas.