MagazinaShëndetësi
Vegjetarianët janë më pak të shëndetshëm se ata që hanë mish
Vegjetarianët janë zakonisht të bindur se përparësitë shëndetësore të dietës në të cilën nuk përfshihet mishi janë zakonisht të shumta.
Megjithatë, studimi i ri tregon se dieta vegjetariane është e lidhur me një shëndet dhe cilësi jetese më të dobët.
Studimi tregoi se vegjetarianët i vizitojnë mjekët më shpesh se ata që hanë mish, si dhe që ata janë më të prirë për alergji, sëmurje nga kanceri, por edhe kanë probleme të shëndetit mendor, shkruan “Daily Mail”.
Hulumtimet kanë treguar se vegjetarianët kanë një rritje deri në 50 për qind të rrezikut nga alergjitë, por edhe sulmeve të zemrës dhe kancerit. Gjithashtu, u konstatua se vegjetarianët janë më shpesh të ekspozuar ndaj depresionit dhe ankthit.
Megjithatë hulumtimet në Universitetin Mjekësor të Gracit në Austri gjithashtu zbuluan se vegjetarianët janë “më të shëndetshëm” në një farë mënyre, pasi që ata janë zakonisht fizikisht më aktivë dhe konsumojnë më pak alkool.
Përveç kësaj, ka më pak gjasa që ata të jenë duhanpirës, dhe kanë më pak probleme me mbipeshë. Për më tepër, u konstatua se vegjetarianët janë zakonisht njerëz të statusit më të lartë socio-ekonomik.
“Studimi ynë ka treguar se të rriturit të cilët konsumojnë ushqim vegjetarian, pavarësisht disa avantazheve, janë më pak të shëndetshëm në aspektin e sëmurjes nga kanceri, alergjitë dhe çrregullimet mendore, dhe kanë një cilësi më të ulët të jetesës.
Kjo do të thotë se duhet bërë një lloj programi mjekësor për t’i zvogëluar këto rreziqe, ndërsa njerëzit duhet njoftuar me të metat dhe përparësitë e ushqimit vegjetarian”, përfunduan ekspertët.