Bashkatdhetarët i janë gëzuar vendimit për zbritjen e tarifave të sigurimit kufitar të auto-përgjegjësisë që ka hy në fuqi më 1 korrik. Ata thonë se tash ndihen më mirë dhe për këtë vendim kanë falënderuar përfaqësuesit e institucioneve kosovare. Ndërsa, përfaqësues të kompanive të sigurimit kanë thënë se kjo zbritje ka ndikuar pozitivisht dhe se numri i policave dhe kohëzgjatja është më e madhe se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Xhafer Berisha, përfaqësues i komunitetit të shqiptarëve në Itali, tha se për KosovaPress se zbritja e tarifave të sigurimit kufitar është një lehtësim për bashkatdhetarët.
Berisha: Është një lehtësim
“Sigurisht është një lehtësim, ne do ta falënderojmë Qeverinë e Kosovës e cila ka menduar të paktën për një çështje të tillë por edhe sikur të mos ishte bërë kjo gjë jo që do të ishte një barrë aq e madhe për bashkatdhetarët, sepse do t’i jepnim këto para me gjithë dëshirë. Por ky është një lehtësim i madh që është bërë lirimi i tarifave për sigurimin e mjeteve”, tha Berisha.
Po ashtu, edheXhevat Isufi, një bashkatdhetar që jeton në Suedia tha se bashkatdhetarët atje kanë mirëpritur vendimin për përgjysmimin e tarifave. Ai tha për KosovaPress se edhe për kundër faktit që kanë paguar asnjëherë nuk janë kompensuar për dëmet.
Isufi: Paguam por nuk u kompensuam
“Qeveria e Kosovës e gjitha për heqjen e atij kartoni është vërtetë e qëlluar dhe është e mirë sepse dëshmon përkrahjen institucionale dhe trajtimin institucional të mërgimtarëve…Për neve nuk ka qenë ajo pagesë kushedi çfarë e lartë, por duke e ditur se nuk ka pasur edhe garancinë apo siguri që kur e paguan vërtetë të kthehet, por kemi shumë raste që iu kanë humbur veturat apo kanë bërë ndeshje dhe nuk janë kompensuar bashkatdhetarët. Po të hiqej krejt do të ishte edhe më e mirë sepse kemi garancione dhe sigurime nga vende që jetojmë atje”, tha Isufi.
Ndërsa, kryetari i komisionit për buxhet dhe financa, Naser Osmani, tha për KosovaPress se kuvendi do të mbaj premtimin dhe brenda shtatorit do të filloi me plotësim-ndryshimin e ligjit për sigurimet.
Osmani: Do ta ndryshojmë ligjin
“Brenda shtatorit apo tetorit në komisione do t ë bëjë premtimin sipas vendimit. Do të fillojë ndryshimin dhe plotësimin e ligjit që t’i përshtatet rrethanave të caktuara dhe të merren vendime nëpër institucione tjera më kredibile që të jetë në dobi të qytetarëve, sidomos të bashkatdhetarëve por edhe qytetarëve të Kosovës që jetojnë në shtete të ndryshme. Unë do të shikoj mundësitë gjatë pengesave formale që janë të bëjmë zgjidhjen më të mirë por do të marrim vendime që të ketë lehtësime për qarkullim dhe të jenë të pajisur në çfarëdo forme me karton të gjelbër”, tha Osmani.
Kurse, Rrahim Pacolli , nga asambleja e byrosë së sigurimeve ka thënë që ky vendim ndikoi pozitivisht në rritjen e numrit të bashkatdhetarëve që kanë frekuentuar vendin me automjete.
Pacolli: Është plus edhe për neve ulja e tarifës
“Zbritja 50 për qind për bashkatdhetarët që ka filluar me 1 korrik është një plus shumë i madh për arsye se bashkatdhetarët tanë e kanë pritë shumë mirë. Unë po ashtu mendoj sa kam mundur të kontaktoj me disa bashkatdhetarë dhe ka filluar dhe është një numër shumë i madh, është rrit diku një përqindje shumë e madhe..I kemi nxjerr disa shifra, në shtatë ditshin e parë ka qenë diku 1 mijë e 300 automjete më shumë se vitin e kalua…. Do të thotë nuk e kanë marrë më 15 ditë policën por e kanë marrë për 12 muaj”, tha Pacolli.
Ky sigurim nuk i mbulon dëmet e shkaktuara në veturë, dëmet e shkaktuara nga personat e panjohur, dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, si dhe dëmet e shkaktuara nga vetë poseduesi i këtij sigurimi, vetë rrotullisja apo nga kafshët në rrugë.