Temperaturat e larta që po mbretërojnë në rajon po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Nga kjo valë e të nxehtit Afrikan janë prekur edhe qytetarët e Luginës së Preshevës.
Për t’i ikur rrezikut, që shpesh mund të jetë edhe me pasoja fatale, mjeku nga Presheva i është drejtuar qytetarëve që t’i shmangen diellit në kohën kur ai është më i fortë.
“Për shkak motit jo të përshtatshëm, ku temperaturat ditore shkojnë në termometër deri 42 C , të gjithë të sëmurëve me sëmundje serioze të zemrës dhe qarkullimit të gjakut (infarkt, aritmi, hipertension, insult-paralize) u bëjmë me dije se në rast qëndrimi jashtë në diell vije deri tek komplikimet serioze të shëndetit të tyre”, apelon në profilin e tij në Facebook dr. Lejlan Sadiku nga Presheva, transmeton Titulli.com.
Ai gjithashtu këshillon edhe të gjithë punëtorët dhe ndërmarrjet që e zhvillojnë punën e tyre me ekspozim direkt në diell, të paktën t’i ndryshojnë oraret e punës (për mos thënë lënien e punës) në kohën e pikut të diellit, nga ora 10h deri në orën 16h.
“Këshillojmë shmangien nga ekspozimi direkt në rrezet e diellit (vlen edhe për pushuesit në plazh), qëndrimi në ambiente të freskëta, marrja e sa më shumë lëngjeve-ujit, duke pasur kujdes edhe marrjen e kripërave dhe mineraleve gjatë kësaj kohe”, porositë mjeku nga Lugina.
Këto ditë në rajonin e Luginës së Preshevës po mbretëron mot shumë i nxehtë, me temperatura që në termometër shënojnë deri në 38 gradë celsius.
Parashikuesit e motit thotë se i nxehti Afrikan në rajon do të qëndrojë për të paktën edhe 10 ditë të tjera.