Vetura e tipit BMW, të cilën gjatë muajit shkurt të këtij vitit e kishte marrë me vete lumi Morava, është gjetur dhe nxjerr të hënën në mbrëmje nga lumi në fjalë.
Pjesëmarrësit në këtë aksion i kanë thënë portalit informativ Titulli.com, se vetura është nxjerrë me ndihmën e ekskavatorëve dhe është në gjendje të shkatërruar me baltë dhe rrënjë pemësh.
Vetura BMW me targa të Nishit, tani pas rënies së nivelit të lumit, është gjetur rreth 1 kilometër larg nga vendparkimi, në afërsi të vendkalimit Konçul-Dheu i Bardhë, nga ku ishte gllabëruar nga fryrja e lumit Morava.
Ndonëse në atë kohë, më 6 shkurt, qytetarët e pranishëm ishin munduar që me anë të litarëve ta mbanin makinën, një gjë e tillë ka rezultuar e pamundur.
Lumi Morava kishte dalë nga shtrati si rezultat i të reshurave të dendura të shiut, me ç’rast kishte shkaktuar përmbytje me dëme të rënda në infrastrukturën publike dhe atë private buzë lumit, sidomos në fshatin Konçul të Komunës së Bujanocit. /Titulli.com/