LajmeMagazina

“Heqja e pllakës, lëvizje e duhur, por jo e mjaftueshme”

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi ka thënë se me largimin e pllakës përkujtimore të cilën Xhandarmëria e kishte ngritur mbi fshatin Lluçan të kësaj komune “është bërë një lëvizje e mirë”.
“Kohëve të fundit kjo është lëvizja e vetme e mirë të cilën Qeveria e Serbisë e ka bërë këtu”, ka thënë Arifi për JUGpress.
Ai ka shtuar se nuk e di se ku do ta transportojë policia këtë pllakë, ndërsa në pyetjen se ajo mund të vendoset në ndonjë fshat të Komunës së Bujanocit në të cilën jetojnë vetëm popullatë serbe, Arifi ka thënë se “diçka të tillë nuk ka dëgjuar”.
“Nëse kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuciq ka menduar se me heqjen e përmendores së Xhandarmërisë do të zvogëlohen tensionet këtu, atëherë kjo është një lëvizje e duhur, por jo e mjaftueshme që njerëzit këtu të jetojnë më mirë. Qeveria e Serbisë duhet që edhe shumë më tepër të bëjë”, ka thënë kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.
Pllaka përkujtimore me emrat e pjesëtarëve të rënë të policisë ishte vendosur në vitin 2012 mbi fshatin Lluçan, ndonëse ishte kundërshtuar nga banorët shqiptarë të këtij vendbanimi dhe më gjerë në Luginë.
Pas gati tre vite ai u hoq papritmas, ndërsa edhe pse me vonesë, një hap i tillë u vlerësua më se i nevojshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button