LajmeMagazina

Ja ku do të vendoset pllaka përkujtimore e Xhandarmërisë

Pllaka përkujtimore me emrat e policëve serb të rënë gjatë konfliktit të armatosur, gjatë viteve 2000-2002 në Luginë të Preshevës, e cila ditë më parë u hoq nga vendbanimi shqiptar, do të vazhdojë të mbetet në Komunë të Bujanocit.
Sipas kumtesës së policisë, të cilën e transmeton portali Titulli.com, kjo pllakë do të vendoset në kopshtin e kishës “Sveti Jovan” në Banjë të Bujanocit.
Ky vendim për zhvendosjen e pllakës me emrat e policëve të rënë, sipas policisë, është ndërmarrë për arsye të shumta, si: ekonomike, praktike dhe të sigurisë.
“Qëllimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndryshimin e lokacionit të pllakës është bërë për t’i mundësuar familjarëve të policëve të rënë, si dhe gjithë të tjerëve, që në çdo moment lehtë dhe thjeshtë t’i afrohet monumentit”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
Pllaka do të vendoset në kishën “Sveti Jovan” e cila gjendet në Banjën e Bujanocit, në afërsi të autostradës, që sipas policisë, shumë qytetarëve do t’i mundësojë qasje më të lehtë.
“Gjithashtu, njëra prej arsyeve për zhvendosjen e pllakës përkujtimore ishin edhe shpenzimet e mëdha për sigurinë e saj, pasi për arsye sigurie, brenda ditës për monumentin kujdeseshin 27 pjesëtarë të Xhandarmërisë, gjë e cila Serbisë i ka kushtuar rreth 450 mijë euro në vit”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Zhvendosja e pllakës përkujtimore do të kushtojë 300 mijë dinarë dhe nuk do të ketë harxhime shtesë për ruajtjen e saj.
Portali informativ Titulli.com në ditën e zhvendosjes së këtij monumenti, më 4 korrik, kishte raportuar se i njëjti do të vazhdojë të mbetet në Komunë të Bujanocit, në një vendbanim kryesisht serb.
Pllaka përkujtimore mbi fshatin Lluçan ishte vendosur në vitin 2012-të. Ky memorial ishte kundërshtuar nga banorët e këtij vendbanimi, përderisa edhe spektri politik shqiptar kishte kërkuar heqjen e saj.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button