Presidentja Atifete Jahjaga shtroi mbrëmë iftar për gratë anëtare të Departamentit të Gruas në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tyre, të udhëhequra nga Besa Ismaili, Prodekane në Fakultetin e Studimeve Islame.
“Këtë vit kam vendosur të shtroj një darkë të Iftarit ndryshe, me qëllim të nderimit dhe respektit për gratë e Fakultetit të Studimeve Islame, që kanë marrë rol aktiv në jetën tonë të përditshme për të ndërtuar një shoqëri demokratike e tolerante, në harmoni me vlerat tona kulturore dhe kombëtare”, tha Jahjaga në këtë darkë.
Sipas presidentes, feja në Kosovë është pjesë e traditës së pasur që tashmë po bëhet shembull gjithandej nëpër botë e cila po sfidohet nga probleme të shumta, përcjell Koha.net.
“Për ne në Kosovë harmonia ndërfetare është e natyrshme sepse jetëgjatësia e saj në këto troje daton me shekuj. Ne të gjithë kemi kontribuar që Kosova sot të jetë e lirë dhe e pavarur. Bashkësitë tona fetare kanë luajtur rol qenësor në bashkimin e qytetareve tanë”, ka thënë Jahjaga. “Një përpjekje e tillë e përbashkët për ta ndërtuar një Kosovë demokratike, që garanton barazinë e të gjithëve, është e domosdoshme sot. Kosova duhet t’iu qëndrojë besnike vlerave që e definojnë dhe në këtë rrugëtim të gjithë kemi kontribut për të dhënë”, ka shtuar më tej ajo.