Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka vlerësuar se industria e armëve e Serbisë ngadalë, por sigurt po rimëkëmbet, kështu që Serbia në këtë aspekt ka arritur larg nga vendet e rajonit.
Kryeministri serb po ashtu ka thënë se Serbia tashmë e ka bërë porosinë e dy helikopterëve rusë dhe dy gjermanë.
“Disa do të arrijnë menjëherë, kurse të tjerët brenda një viti, me çka e përforcojmë dukshëm ushtrinë dhe njësitin e helikopterëve”, ka thënë ai.
“Deri në shtator të vitit 2016 ne do t’i kemi në gjendjen më të mirë të mundshme edhe njësitë ajrore – do të na vijnë pesë ‘mig 29’ dhe tre ‘mig 21’. Këta janë tetë gjuajtës serioz. Po punojmë edhe në ‘galeb 4’ dhe shpresoj se do të arrijmë edhe marrëveshje dhe kontrata tjera të mira”, ka theksuar Vuçiq.
Ai pasi që ka vizituar poligonin e “sistemit luftarak” në Veliko Plana, ka thënë se Serbia është fuqi dominonte luftarake jo vetëm në rajon, por edhe me gjerë.
“Në këtë moment jemi fuqi dominante në rajon në këtë sektor dhe kemi kapacitete që të mbrohemi. Marrëveshjet tona dhe fuqia jonë janë tejet të mëdha në raport me ata që eventualisht dëshirojnë të në sulmojnë”, ka theksuar Vuçiq.