Serbia i frikësohet një katastrofe humanitare, e cila mund të shkaktohet nga vala e jashtëzakonshme e emigrantëve që po përpiqen të arrijnë në Hungari.
Gjërat i vështirëson Hungaria, e cila parashikoi se deri më 31 gusht do të përfundojë ndërtimin e rrethojës në kufi.
Një djalosh në të 20-at, i ikur nga Siria, thotë se qëllimi i tij është të arsimohet dhe të gjejë punë larg nga dhuna.
“Do të shkoj në Hungari, e më pas në Austri dhe në Gjermani, sepse dua të arsimohem. Në Siri ka shumë probleme. Është ushtria e Assadit, ISIS-i, Al Qaeda” deklaron ai.
Por Hungaria tashmë filloi ndërtimin e rrethojës 4 metra të lartë në kufirin me Serbi përgjatë 175 kilometrave mes dy shteteve për të ndalur valën e emigrantëve.
Ky gjest e kërcënon Serbinë me katastrofë, ku do të mund të krijohet një strofull e re për emigrantët në shtetin që nuk ka mjaft mundësi të ballafaqohet me ta.
Serbia mund të bëhet vend edhe më i keq se kampet në Calais, thotë Rados Djuroviq, kreu i Qendrës Mbrojtëse për Azilkërkuesit.
Derisa në Calais, Francë, ndodhen 3 mijë emigrantë që përpiqen të arrijnë në Britani, më shumë se 100 mijë tashmë kanë hyrë ilegalisht në Hungari deri tash.