Berat Xhimshiti, lojtari i sektorit të mbrojtjes në FCZ ka vendosur që të luajë për kombëtaren e Shqipërisë. Ai deri më tash ka luajtur një numër ndeshjesh për juniorët e Zvicrës, në kategori të ndryshme, deri në U-21.
Në një komunikatë që ka shpërndarë KF Cyrihu thuhet se Xhimshiti, me prejardhje nga Tërnoc i Komunës së Bujanocit, gjatë javëve të fundit është marrë në mënyrë intensive me çështjen e kalimit në skuadrën kuq e zi. Në fund, vendimin që e ka marrë ai e arsyeton me përpjekjet e mëdha që përgjegjësit e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë bërë për të siguruar shërbimet e tij.
Federata në fjalë, në të cilën tashmë luajnë një numër i madh i shqiptarëve me “prejardhje zvicerane” ka provuar disa herë deri më tash që ta angazhojë Xhimshitin në radhët e veta, shkruajnë mediet zvicerane.
Shqipëria aktualisht ka një pozicion të mirë në kualifikimet për evropianin 2016. Ajo zë vendin e tretë në grupin e vet ndërkohë që ka një ndeshje më pak të luajtur se lideri i grupit, Portugalia, e cila i ik asaj për vetëm dy pikë.