Pasardhësit e shqiptarëve në Siri, 100 vjet pas luftës tentojnë Europën
Mund t’i kemi hasur në kronika televizive apo dokumentarë, faqe gazete apo në reportazhe që na dukeshin interesante dhe na bënin të besonim se gjaku shqiptar jeton dhe jep kontribute edhe shumë e shumë kilometra larg vendlindjes. Por vendimi që paraardhësit e tyre kanë marrë dikur, për t’u vendosur në Siri, ka rezultuar fatal për pasardhësit e tyre të brezit të tretë apo të katërt. Kështu, në një fotoreportazh të shkruar së fundmi në kufirin mes Greqisë e Maqedonisë, gazeta austriake “Der Standard”, u përcjell lexuesve atmosferën e zymtë që mbretëron atje me mijëra refugjatët nga Lindja e Mesme në rrugën e tyre për në Europë.
Shkrimi bën edhe një “zbulim”, të paktën nga këndvështrimi shqiptar. “Dhe ja tani ku hasim në dy pasardhës të ish-emigrantëve shqiptarë të Sirisë në Gjevgjeli, në kufirin Greqi-Maqedoni, ku presin të vijojnë rrugëtimin e tyre, një kthim në Europë”. Kështu shkruhet në reportazhin e së përditshmes austriake. Teksti i gazetares Adelheid Wölfl fillon me një sekuencë interesante. Është një rrëfim i bukur dhe prekës për rrugën e shqiptarëve të Sirisë drejt Europës – kësaj radhe me turmat e refugjatëve – ose kthimin e tyre në Europë, prej nga stërgjyshërit e tyre u larguan para 100 vjetësh in larguar, duke u shpërngulur në Damask të Sirisë.
“Prapa rrotave me tela me gjemba, në pjesën greke të kufirit qëndrojnë dy të rinj biondë që bien në sy menjëherë me gropëzat e faqeve shumë të ngjashme. Janë vëllezër. Njëri prej tyre mban në duar një kapelë të thurur, të bardhë, me një lule ngjyrë rozë në mes. Cilët jeni ju? – ‘Ne jemi shqiptarë’, – thotë ai. A keni pasaporta shqiptare? – është pyetja e gazetares. ‘Po të kishim pasaportat shqiptare, ne nuk do të rrinim këtu prapa telave me gjemba, por do të kalonim kufirin për në Shqipëri. Ne kemi pasaporta siriane’, sqaron vëllai tjetër.
‘Fajin e ka stërgjyshi ynë, i cili 100 vjet më parë la Shqipërinë dhe u shpërngul në Siri, duke menduar se është një vend më i mirë. Por, tani, ne nuk jemi dhe aq të sigurt nëse ai kishte pasur të drejtë apo jo’, vazhdon ai. Gropëzat në faqet e të dyve bëhen më të mëdha. Qeshin edhe sirianët e tjerë që ndodhen aty. Që në shekullin e nëntëmbëdhjetë, shqiptarët udhëtonin në botën e jashtme, në radhë të parë për të kërkuar punë. Para njëqind viteve në Turqi jetonin rreth 250 mijë deri 300 mijë shqiptarë në Turqi. Një numër kishin shkuar mandej në Siri. Shumë prej tyre në Damask. Dhe ja tani ku kanë zbarkuar dy pasardhës të këtyre emigrantëve në Gjevgjeli, në kufirin Greqi – Maqedoni, ku presin të vijojnë rrugën e tyre, një kthim në Europë”, shkruan “Der Standard”, raporton “Zhurnal”.