Diskriminimi i danezëve, 4 mijë shqiptarë i lë jashtë stadiumit
Më shumë se 4 mijë tifozë shqiptarë me një biletë të vlefshme për të qenë në “Telia Parken” të Kopenhagenit, do të mbeten në mënyrë të padrejtë jashtë stadiumit danez.
Në një shkelje të hapur të ligjit dhe me metoda diskriminuese, Federata Daneze e Futbollit ka ndërmarrë masa drastike për të evituar trazirat.
Nga qarkorja që i është shpërndarë autoriteteve të sigurisë dhe firmave private të “stjuardëve”, do ta pësojnë më së shumti shqiptarët.
Sipas mediave nordike, të paktën 6 mijë tifozë kuqezi do të mblidhen në sheshin “Norebro Halen” për të bërë nxehjen para sfidës kualifikuese të Evropianit, por një hapësirë ligjore e UEFA-s, mund të shpëtojë Federatën Daneze në rregullin e përjashtimit.
“Është një problem vërtet i madh pasi këta tifozë që do të lihen jashtë janë me nënshtetësi daneze prej dekadash dhe kanë blerë një biletë në mënyrë të rregullt, por diskriminohen prej emrit”, tha Driton Bytyçi, një shqiptar që përfaqëson tifogrupin në Danimarkë.
Bytyçi ka shtuar se është në kontakte të përditshme me policinë dhe federatën për të evituar trazirat.
Ai ka lënë të kuptohet se tifozët shqiptarë do të përpiqen të futen me veshje që nuk bien në sy dhe duke dhënë përshtypjen se janë neutralë, por nëse nuk i lejojnë, atëherë mund të ketë probleme.