LajmeMagazina

Gjermani, protesta kundër azilantëve, qytetarët u dalin në mbrojtje

Në qytetin Hajdenaut në lindje të Gjermanisë ka pasur përleshje të dhunshme që shpërthyen pas një proteste të organizuar kundër azilkërkuesve. Policia ka ndërhyrë për të qetësuar situatën e krijuar nga rreth 600 protestues të ekstremit të krahut të djathtë, të cilët u mblodhën rreth një magazine, ku strehohen azilantët.
Ata u shprehën kundër numrit të madh të refugjatëve, që po hyjnë çdo ditë në Gjermani dhe kërkuan largimin e menjëhershëm të tyre. Protestuesit qëlluan policinë me fishekzjarre, shishe dhe gurë duke plagosur rreth 30 oficerë.
Ndërkohë pranë kampit të azilantëve gjatë ditës u mblodhën banorët e qytetit, që dolën në krah të azilantëve, thanë se protestuesit ekstremistë nuk ishin pjesë e komunitetit të tyre. Në përkrahje të azilkërkuesve kanë dalë edhe tifozët e Borusia Dortmund të cilët kanë ngritur pankarta me mbishkrimin, “Refugjatë mirë se vini”.
Gjermania pret një numër rekord prej 800 mijë klandestinësh deri në fund të vitit, ndërsa po përballet me mungesën e ambienteve për akomodimin e tyre. Më shumë se një e treta e azilkërkuesve vijnë nga Ballkani.
Ministri i Punëve të Brendshme në Gjermani, Thomas de Maiziere premton “të gjithë forcën e ligjit” ndaj atyre që ushtruar dhunë mbi emigrantët.
“Kemi një rritje të urrejtjes, fyerjeve dhe dhunës ndaj azilkërkuesve. Kjo është e padenjë dhe e turpshme për vendin tonë”, shprehet De Maiziere për “Der Spiegel”.
Gjatë fundjavës pati trazira nga ekstremistët e djathtë në Dresden, ku protestuesit sulmuan kampet e refugjatëve.
“Duhet ta mendoni njëherë veten në situatën e refugjatëve. Kushdo që vepron kështu do të ndeshet me forcën e ligjit”, shprehet ministri i Brendshëm gjerman.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button