Procesi dëgjimor i të akuzave për aksionin policor në Kumanovë më 9 dhe 10 maj pritet të vazhdojë të mërkurën dhe të enjten me të burgosurit në burgun e Prilepit dhe Manastirit.
Ky proces u bllokua në burgun e Shutkës, për shkak se të paraburgosurit e atjeshëm refuzuan të deklaroheshin, duke kërkuar më parë që prokuroria të prezantonte provat kundër tyre. Disa të tjerë madje kërkuan që fillimisht të konstatohej edhe gjendja e tyre shëndetësore e psikike, e më pas të deklarohen.
Gjithsesi, sipas avokatëve mbrojtës kjo nuk nënkupton se ata mbrohen në heshtje, por thjesht kërkojnë respektimin e të drejtave ligjore. Avokatët mbrojtës Naser Raufi dhe Artene Ademi Iseini presin që këtë gabim prokuroria ta përmirësojë të mërkurën dhe të enjten, duke dorëzuar më parë provat.
“Të mërkurën dhe të enjten do të vazhdojë rasti për ata që janë në burgjet e Prilepit dhe Manastirit. Mendoj se të gjithë do të dëshmojnë pasi t’u realizohet e drejta për t’u njohur me provat para dhënies së deklaratës”, deklaroi avokati Raufi. Sipas tij, procesi dëgjimor është momenti i fundit dhe pret që aktakuza të jetë gati në vjeshtë.
ALSAT mëson se të ndaluarit do të akuzohen për veprimtari në organizatë terroriste, por kjo nuk nënkupton se kjo akuzë do të mbetet deri në fund. Saktësisht do të dihet vetëm kur aktakuza të bëhet e plotfuqishme ndaj secilit prej të paraburgosurve.