Me rezultat 1-0, Barcelona i është gëzuar fitores kundër Athletic Bilbaos, në ndeshjen e javës së parë kampionale që u zhvillua në San Mames.
Një dominim i katalunasve në gjysmën e parë, të cilët e vunë në vështirësi portierin nikoqir në disa raste, porse kur mbaruan 45 minutat e para rrjeti i tij mbeti i paprekur.
Rastin më të mirë për ta zhbllokuar rezultatin e pati Lionel Messi, mirëpo Iraizoz mbrojti goditjen e tij nga pika e bardhë (31’).
Jo shumë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, mysafirët e gjetën golin. Alba vrapoi nga krahu i majtë dhe dërgoi një harkim brilant në zonë që e gjeti Luis Suarezin e pamarkuar, ndërsa uruguaiani nuk gaboi nga afërsia (54’).
Blaugranët kanë mundur ta dyfishojnë epërsinë, mirëpo shtylla ndali goditjen e Sergi Robertos kur kishte kaluar një orë lojë.
Nikoqirët nuk u dorëzuan në asnjë moment dhe ndërtuan shumë aksione në fazën ofensive, porse mungoi efektiviteti.
Në këtë mënyrë, me fitore minimale, e nis mbrojtjen e titullin të La Ligas, kampioni në fuqi.