LajmeMagazina

Mërgimtarët në vendlindje, brenga e tyre gjendja e rëndë ekonomike në komunë të Preshevës

Sikurse çdo vit Presheva me fshatrat përreth i mirëpriti bashkatdhetarët e saj të cilët punojnë dhe veprojnë në shtetet perëndimore. Ata ishin në përgjithësi të gëzuar që ishin në vendlindje dhe në gjirin familjar, shkruan Titulli.com.
Për Luan Malokun nga fshati Miratoc i komunës së Preshevës, i cili jeton dhe vepron në qytetin Niederbip, kantoni i Bernit pushimi në vendlindje ishte shumë i mirë
“Edhe pse këto ditë ka qenë vapë tropikale, prapëseprapë ne u kënaqëm duke u çmallur me familjarët tanë këtu në vendlindje. Presheva më mungon edhe pse këtu shihet papunësi e madhe dhe kjo është e keqja e kësaj ane” është  shprehur Maloku.
Për Lulzim Maliqin i cili jeton në Cyrih të Zvicrës pushimi në vendlindje ishte i mirëseardhur por brengë kryesore mbetet kriza e madhe ekonomike.
“ Jam i kënaqur me ardhjen time në pushime në vendlindje, Presheva është në zemrën time, por më brengos fakti se këtu popullata ballafaqohet me krizë të madhe ekonomike, edhe ashtu siç është, Presheva ime më priti, dhe na pritën zemërhapur, me bukë e krip e zemër. Do të më mungoj tani pas kthimit për një kohë të gjatë Presheva ime”, deklaroi për Titulli.com, Lulzim Maliqi. 
Isuf Sulejmanit, një mërgimtar tjetër nga fshati Rahovicë, i cili jeton dhe vepron në qytetin e Brukselit në Belgjikë pohoi se vendlindja është e shenjtë.
“Shumë herë kam menduar të investoj diçka në vendlindje, por ja që nuk ka siguri dhe perspektivë, po pres, mendoj që në të ardhmen do të bëj diçka në këtë drejtim”, deklaroi Sulejmani.
EdheBekimi nga Presheva, i cili jeton dhe punon në Saint Galen të Zvicrës i pyetur për pushimet e tij në vendlindje tha se Presheva është e dashur edhe për bashkatdhetarët, por  e keqja është se po shohim shumë lypsarë rrugëve të qytetit, mandej edhe papastërti kudo, këto shpresoj se në të ardhmen do të mënjanohen, përfundoi ai. 
 “Ardhja në vendlindje më ka gëzuar pa masë, jam duke kaluar shumë mirë në gjirin familjar. E mira e Preshevës është dhe vazhdon të jetë mikpritja vëllazërore që na bëhet, ndërsa e keqja është papunësia enorme dhe mungesa e parkingjeve, sepse Presheva është qytet i vogël dhe nuk ka shumë parkingje” shprehet Besniku nga Presheva, i cili jeton dhe vepron në qytetin Mynih të Gjermanisë. 
Shumica e bashkatdhetarëve e kanë brengë situatën e  rëndë ekonomike dhe papunësinë rekorde të popullatës shqiptare, të tillët presin ditë më të mira, që një ditë do të ketë edhe investime për ta ringjallur jetën ekonomike në komunën e Preshevës dhe më gjerë./Titulli.com/

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button