Dëshira e tij e kamotshme ishte që të shkonte në haxh. Duke e llogaritur si njërin nga obligimet e fesë që i takon, Latif Llugaliu nga Surkishi i Podujevës u mundua gjatë për të bërë paratë për udhëtimin e tij.
Bile për sigurimin e të hollave ai qiti në shitje edhe një pjesë të tokës së tij.
Por as kjo nuk bëri punë.
Toka nuk iu shitë, e duke e parë që dëshira e tij nuk po realizohej, tokën e fali për ndërtimin e një xhamie e një pjesë edhe lëshoi edhe për varreza.
Por vetëm pak ditë më parë ai pasi fali xhumanë i erdhi një lajm i mirë. Atë ia kumtoi imami i Xhamisë së Vjetër në Podujevë, Imri Llugaliu.
Për Latif Llugaliun që jeton në kushte jo të mira financiare e pa fëmijë xhemati kishte grumbulluar një shumë parash të mjaftueshme për të.