Projekti i radhës i cili do të fillojë së shpejti në Komunën e Prishtinës, është vendosja e sensorëve për matjen e sasisë së ndotjes së ajrit.
Respektivisht, planifikohet vendosja e sensorëve në gjashtë pika të ndryshme të kryeqyteti, ndërsa informacionet lidhur me të gjitha parametrat e ndotjes se ajrit do te pasqyrohen edhe në ueb portalin zyrtar të Komunës së Prishtinës. Gjithashtu, do të pasqyrohet edhe norma e ndotjes e cila është e lejuar me standardet e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të bëhet edhe krahasimi i parametrave.
Ky projekt i cili do të fillojë së zbatuari në muajin shtator të këtij viti do të bëjë matjen e kualitetit dhe ndotjes së ajrit, gjegjësisht të këtyre parametrave: Dioksid Sulfuri (SO2), Hidrogjen Sulfid (H2S), Dioksid i Azotit (NO2) , Ozoni (O3), Grimcat PM10 edhe PM25, Monoksidi i Karbonit (CO), Amoniak (NH3), Radioaktivietin, Decibel Meter/ Matës i zhurmës, temperaturën dhe lagështinë.
Në kuadër të këtij projekti planifikohet që këta sensorë të menaxhohen përmes njësisë kontrolluese e cila do të mundësojë matjen aktive në kohë reale online, si dhe “offline”.
Qëllimi i këtij projekti është sensibilizimi i opinionit por edhe i të gjitha organeve kompetente për hapat që duhet të ndërmerren lidhur me përmirësimin e ambientit dhe ruajtjen e shëndetit. Gjithashtu, me fillimin e zbatimit të projektit për matjen e ndotjes së ajrit, do të dihet saktësisht edhe gjendja e ambientit në kryeqytet.