Pas 24 vitesh te Roma, Francesko Totti ka provuar diçka të re: në bankën për 90 minuta në Verona, si asnjëherë në karrierën e tij të gjatë dhe të lavdishme.
Kapiteni legjendar i Romës është tashmë në fundin e karrierës dhe është e qartë që do të luajë gjithnjë e më pak, sidomos tani që Roma ka blerë lojtarë si Dzeko e Salah.
Megjithatë, lënia e tij në stol për gjithë ndeshjen është një risi dhe ka habitur jo pak, sepse Roma kërkonte fitoren në Verona dhe trajneri Garcia preferoi të hidhte në fushë Ibarbon, por edhe mesfushorët Iago Falque e Keita.
Totti ka debutuar në Serinë A në vitin 1993 dhe natyrisht sezonet e parë nuk grumbullohej, por sa herë grumbullohej, ose e niste titullar, ose futej në fushë gjatë ndeshjes, pa ndjekur kurrë një ndeshje të plotë nga stoli.