LajmeMagazina

Privatizimi, 13 punëtorë përshëndeten me RTB-në

Për 13 punëtorët e Radio Televizionit Bujanoci dita e premte ishte e fundit si pjesë e këtij mediumi publik, tashmë në fazën e privatizimit.
5 shqiptarë, 7 serbë dhe 1 rom kanë nënshkruar programin social para se RTB të privatizohet, proces i cili është shtyrë deri më 31 tetor të këtij viti.
Me nënshkrimin që sot hodhën punëtorët në letër, kryesisht gazetarë të këtij mediumi, iu dha lamtumira pjesës tjetër prej 26 punëtorëve, të cilët janë në pritje të privatizimi, apo ndarjes së aksioneve, në rast se nuk ka të interesuar për blerjen e Radio Televizionit Bujanoci, raporton Titulli.com.
Disa muaj më herët edhe dy punëtorë shqiptarë kanë lënë punën në këtë medium, duke e barazuar numrin e punëtorëve shqiptar me ata serbë që janë larguar nga RTB për shkak të privatizimit.
Edhe pse, tashmë disa herë këta punëtorë dhe pjesa tjetër kanë qenë kundër privatizimit, Qeveria e Serbisë ka marrë vendimin që ajo të bëhet në tërë territorin e vendit.
Vlen theksuar se për dallim deklaratave dhe kumtesave që lëshohen nga zyrtarët më të lartë të Komunës së Bujanocit, kur kemi të bëjmë me ndarje të subvencioneve për punësim të përkohshëm të punëtorëve, sot nuk pamë një gjë të tillë për largimin e tyre.
Për këta 13 punëtorë që lëshuan vendet e tyre të punës nuk patë asnjë njoftim, të paktën një komunikatë nga administrata e vetëqeverisjes lokale, apo edhe nga shtëpia mediale-RTB, për të informuar opinionin rreth mënyrës së largimit të këtyre punëtorëve nga vendet e punës.
Duhet nënvizuar se afati i ri dhe i fundit për privatizimin e mediave, që janë në pronësi të shtetit, do të jetë 31 tetori i këtij viti, kjo sipas ndryshimeve në Ligjin mbi informimin publik dhe mediat.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button