“Luftojmë çdo ditë mos sëmuremi, mos na kapë ndonjë infeksion, apo mos përfundojmë viktimë e therjeve apo përdhunimeve”, është realiteti shokues që përshkruan një azilkërkues nga Shqipëria, i strehuar në një prej kampeve të refugjatëve në Gjermani.
I riu, i cili nuk dëshiron të identifikohet (për shkak të frikës se mund të penalizohet), thotë për Shqiptarja.com se situata në kamp është e frikshme, për shkak të mungesës së higjienës dhe rrezikut që vjen nga refugjatët e dhunshëm që janë brenda kampit.
“Lufta më e madhe dhe përpjekjet dita-ditës janë që të mos na kapë ndonjë infeksion, sepse ka shumë pisllëqe në kamp. Por, jo vetëm, ndodhin therje, përdhunime, e madje edhe ndonjë tentativë për vrasje. Ky është realiteti jonë”, shprehet azilkërkuesi shqiptar, ndërsa demonstron me fotografi “vaktin e tij” të radhës.
“Ja kjo është darka ime për sot”, thotë ai ndërsa shfaq një fotografi ku mban në dorë tre feta bukë me një copë sallam mbi to.
Por, megjithë vështirësitë që ai vetë rrëfen, djali shqiptar thotë se nuk ka aspak ndërmend të kthehet, pasi ndjen se nuk ka asnjë të ardhme në Shqipëri. Ndërsa, shton se njerëzit duhet ta shohin e ta kuptojnë situatën e vështirë që përjetohet nëpër këto kampe, ku refugjatët janë nga gjithë bota, që nga Afrika, vendet arabe e deri tek vendet e Ballkanit.
“Është shumë vështirë, një situatë që s’mund ta përballojnë të gjithë”, thotë i riu.
Ai konfirmon se marrin një pagesë nga drejtuesit e kampit prej 30 euro në javë (120 euro në muaj), por ai shpreson që autoritetet t’i japin mundësinë të punojë.
“Mezi shtyjmë ditën. Mundohem të mbajmë trurin në vend se mos ç’mendemi”, thotë shqiptari i dëshpëruar.
Një raport i fundit i autoriteteve gjermane tregon se aplikimet për azil të shqiptarëve gjatë shtatëmujorit të këtij viti arrijnë shifrën 29.353, krahasuar me 4590 të po të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Në raport thuhet se vetëm për muajin korrik ka patur 7547 azilkërkues shqiptarë. Shqipëria është i treti, pas Sirisë dhe Kosovës, ndërsa si kombësi shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të azilkërkuesve.