MagazinaSport

Shqipëri – Portugali, masa të rrepta për tifozët

Ndeshja e 4 shtatorit kundër Portugalisë në “Elbasan Arena”, përveç vlerës së pikëve për kualifikim në “EURO 2016”, do të ketë edhe funksion tjetër.

Për herë të parë do të eksperimentohen biletat e personalizuara për çdo tifoz që do të hyjë në stadium, si provë para duelit të 8 tetorit me Serbinë.
Kështu, edhe ndaj Portugalisë çdo tifoz do të hyjë në stadium me dokument identifikimi, pasi t’i kenë blerë biletat po me dokument identifikimi. Pra çdo biletë do t’i përkasë një personi konkret, të përveçëm, me emër e mbiemër, si dhe me numër karte identiteti apo pasaporte. Nëse diçka josportive ndodh në vendin e tij në stadium, menjëherë është i identifikuar dhe merret nën akuzë.
Në këtë mënyrë të gjithë të pranishmit në “Elbasan Arena” do të jenë të identifikueshëm e të kontrollueshëm, sikundër nga kamerat e sigurisë, të shumta në këtë impiant sportiv.
Njoftimi i FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit informon të gjithë opinionin publik se për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Portugali do të fillojë zbatimin e një protokolli sigurie të niveleve më të larta. Biletat për këtë ndeshje dhe për të gjitha ndeshjet e tjera në vijim do të shiten të personalizuara, me emër dhe mbiemër të mbajtësit në çdo biletë. Të gjithë tifozët e pajisur me biletë duhet të shkojnë në stadium patjetër të pajisur edhe me një dokument identifikimi, që duhet të jetë kartë identiteti ose pasaportë biometrike. Në çdo hyrje të stadiumit do të ketë kontroll të rreptë për verifikimin e dokumentit të identitetit dhe në rast mospërputhjeje midis emrit në biletë dhe dokumentit të paraqitur, personat nuk do të lejohen të hyjnë. Për sa më lart është një masë shtesë sigurie, por edhe për të parandaluar fenomenin e njohur si “treg i zi” dhe problematika të tjera, që janë në dëm të publikut dhe mbështetësve të futbollit. Shpresojmë dhe urojmë që të kemi mirëkuptim dhe bashkëpunim në shkallë sa më të gjerë, për të pasur në të ardhmen ndeshje futbolli sa më të kontrolluara dhe të garantuara, si dhe një organizim më të mirë dhe efikas”.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button