LajmeMagazina

Tetë infermieret e para kosovare kryejnë praktikën në Zvicër

Është ky rasti i parë që kryerja e një praktike të tillë në Zvicër u mundësohet kosovarëve në rrugë zyrtare.
Ato janë tetë gra dhe vajza. Vijnë nga Mitrovica, Prishtina, Ferizaj, Drenasi… Disa prej tyre kanë lënë femijët në Kosovë. Kanë ardhur prej dy javësh në Cyrih ku po kryejnë një praktikë katërmujore nëpër shtëpi për përkujdesjen e të moshuarve. Këto infermiere mund të quhen lajmëtaret e para të një praktike ende të panjohur për Kosovën në raport me Zvicrën. Por, ardhjes së tyre në Zvicër i ka paraprirë një rrugë e gjatë dhe me shumë pengesa që u kanë dalë bartësve të këtij projekti unik.
Ideja ishte e dr. Bahri Rexhës, i cili punon prej vitesh në lëmin e përkujdesjes së të moshuarve në Cyrih. “Në Kosovë janë rreth 6000 persona që kanë mbaruar shkollën e mesme të mjekësisë (infermierisë) dhe që janë të papunë, prandaj gjithnjë më ka preokupuar fati i tyre”, thotë Rexha . Dhe preokupimi i tij nuk mbetet vetëm në mendje. Ai provon të jetësojë synimet e tij, të ngrisë diçka në këmbë. Kështu, përmes miqve të tij zviceranë dhe në veçanti përmes ekspertit të njohur në Zvicër dr. Held, mitrovicasi nisi aksionin që t`u mundësonte kryerjen e praktikës në Zvicër të paktën një numri të punëtorëve medicinalë nga Kosova.
Në mënyrë që kjo dëshirë të merrte rrugën e realizimit, dr. Rexhaj i qe drejtuar konsullit të Kosovës në Cyrih, dr. Sali Sefa, i cili ka bërë pastaj përpjekjet për realizimin e projektit përmes rrugëve zyrtare.
Më 20 gusht në Konsullatën e Kosovës në Cyrih po bëhej kurorëzimi i suksesit të këtij projekti. Në pritjen e bërë me këtë rast ishin shtatë nga tetë praktikantet, pastaj iniciatorët dhe bartësit e projektit dr. Held, dr. Rexhaj etj. Ata, në një bashkëbisedim tregojnë për peripecitë dhe problemet në të cilat kanë hasur për të sjellë punën deri në këtë pikë.
Konsulli Sefa ka falënderuar në radhë të parë dr. Held-in për kurajën dhe vullnetin e treguar në gjithë këtë projekt me rëndësi. Ai, përveç ndihmës së pakursyer në sjelljen e infermiereve kosovare në Zvicër, ka iniciuar edhe projekte të tjera në Kosovë, nga fusha e tij, ka thënë konsulli. Falënderimi i shkon gjithsesi edhe dr. Bahri Rexhës i cili ka shtyrë përpara idenë e tij duke sensibilizuar me gjendjen në Kosovë gjithë rrethin e miqve të krijuar me punë, përkushtim e sakrificë. Pastaj dr. Sefa, duke u drejtuar praktikanteve ka sjellë në vëmendje peshën e përgjegjësisë që do të kenë ato me sjelljen e tyre për mbarëvajtjen e mëtejme të projektit. “Ju jeni çelësi i suksesit të këtij projekti”, ka thënë ai me këtë rast.
Konsulli ka folur edhe për vështirësitë e hasura duke pasur parasysh se nga shkaku i regjimit të vizave dhe nisur nga statusi i saj, Kosova ka shumë kufizime ligjore që e bëjnë gati të pamundur realizimin e projekteve të ngjashme. Ai thotë për albinfo.ch se vazhdimi i këtij projekti varet për shumëçka nga suksesi që tregon grupi i parë i infermiereve nga Kosova.
Projekti fillimisht parashikonte praktikën njëvjeçare por pastaj autoritetet zvicerane e kanë reduktuar atë në vetëm katër muaj. Sidoqoftë, ka theksuar ai, është ky rasti i parë që një praktikë e tillë mundësohet në rrugë zyrtare, pasi që ate e kanë miratuar institucionet përgjegjëse zvicerane.
Dr. Held, i familjarizuar tashmë me shqiptarët dhe Kosovën, ka përshëndetur këtë arritje por njëherësh ka shprehur pakënaqësinë që ajo nuk është realizuar në tërësi sipas idesë fillestare. Kjo sepse ishte paraparë që praktika e infermiereve të zgjaste një vit ndërsa u është mundësuar vetëm katër muaj. Dr. Held, i cili ka filluar ta mësojë edhe shqipen dhe tashmë e kupton mirë atë, ka treguar edhe për planin e shtëpisë së pleqve në Mitrovicë dhe për planet tjera që ai ka me Kosovën. “Ende mungon mbështetja e duhur financiare por edhe këtë barrierë do ta tejkalojmë”, ka shprehur vendosmërinë e tij dr. Held.
Kujtim Ahmeti, i cili drejton një shtëpi për përkujdesjen e të moshuarve në Cyrih ka qenë njëri ndër personat e involvuar në këtë projekt pothuaj nga fillimi. Ai, në cilësinë e ekspertit ka marrë pjesë edhe në përzgjedhjen gjegjësisht testimin e infermiereve nga Kosova. Ahmeti ka shprehur kënaqësi me nivelin e përgatitjes profesionale të tyre dhe me njohjen e gjermanishtes, që ka qenë ndër kushtet kryesore për pranimin e tyre në këtë projekt.
Infermieret e ardhura nga Kosova përmes këtij projekti kanë shpalosur përvojat nga më pak se dy javët e para sa janë duke punuar në Cyrih.
Ato para së gjithash ndjehen të privilegjuara që u është dhënë mundësia të vijnë këtu për të mbaruar praktikën. Shprehen se janë të pritura shumë mirë nga personeli dhe pacientët dhe se çdo ditë e kaluar në shtëpitë për përkujdesje të të moshuarve në Cyrih është një përvojë e re e çmueshme për to.
Shumica e tyre kanë pasur njohuri të gjermanishtes pasi që kanë jetuar një kohë në shtetet ku flitet gjermanishtja kështu që nuk e kanë problemin e gjuhës. Por disa syresh kanë regjistruar kurse të gjermanishtes enkas për të qenë pjesë e këtij projekti dhe siç shihet tashmë, ia kanë dalë me sukses
Në pritje e bërë ne Konsullatën e Kosovës në Cyrih kanë përshëndetur edhe ministri këshilltar në këtë konsullatë, Islam Spahija, zëvendëskonsullja Ajmane Veseli, drejtorja e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani etj.
“Pleqtë pikëllohen kur ndahen nga unë”
Advije Zeneli nga Mitrovica, nënë fëmijësh, thotë se ka jetuar një kohë në Gjermani ndërsa profesionin e infermieres e ushtron prej 13 vitesh. Ajo shprehet jashtëzakonisht shumë kënaqur me pritjen në rrethin e ri. “Kolegët këtu shtëpinë e pleqve në Cyrih sillen shumë mirë me mua. Janë të gatshëm për të më ndihmuar për çdo gjë. Por puna që bëj këtu nuk ka shumë ndryshim nga ajo qe kam kryer në Kosovë, edhe pse atje nuk kam punuar në shtëpi të pleqve”, thotë Advija.
Ndërsa Fitore Bekteshi nga Ferizaj ka një rrëfim interesant nga këto pak ditë që ka kaluar me punë në një shtëpi pleqsh të Cyrihut. “Pasi qe jam shumë komunikative dhe flas me ta, pacientet kanë filluar të më duan shumë. Aq shumë u kam hyrë në zemër sa që në fundjavën e parë kur u thash se kam pushim dy ditë u pikëlluan dhe më lusnin që të punoja, që të jem edhe më tej me ta. 

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button