De Biasi në telashe, i lëndohet një tjetër mbrojtës
Pas Mergim Mavrajt që nuk do të jetë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë për ndeshjen ndaj Danimarkës, tani mungesë pritet të jetë edhe mbrojtësi i krahut të djathë Elseid Hysaj.
Elseid Hysaj mund të mos jetë në dispozicion të trajnerit Gianni De Biassi për ndeshjen e 4 Shtatorit kundër Danimarkës në Kopenhagen. Mbrojtësi kuqezi që alarmoi stafin në kampin stërvitor ku u paraqit me një problem muskulor, i është nënshtruar analizave të detajuara ku mjekët kanë arritur të zbardhin shkallën e dëmtimit.
Bëhet fjalë për një kontraktim të lehtë dhe Hysaj pritet të bashkohet me grupin në stërvitje të Enjten. Mjekët në stafin e kombëtares nuk japin afate rikuperimi por shanset e mbrojtësit për të luajtur në Danimarkë janë të vogla pasi koha nuk premton.
Të Mërkurën Hysa do të bëjë pushim absolut dhe më pas do të merret një vendim i përbashkët nëse ai do të bashkohet me grupin kuqezi ose jo.
Mbrojtësi shkodran pësoi një kontraktim gjatë ndeshjes që Napoli zhvilloi në “San Paolo” kundër Sampdorias.
Përsa i përket ndeshjes kundër Portugalisë në “Elbasan Arena”, 21-vjeçari ka shanse të mëdha për të zbritur që nga minuta e parë në fushën e lojës, por gjithsesi, fjalën e fundit edhe në këtë rast do ta thonë bluzat e bardha që po monitorojnë gjendjen e mbrojtësit të krahut.