Cana nuk mungon kundër Serbisë?
Lorik Cana e ka lënë ndeshjen Lille-FC Nantes, të luajtur dje, në minutën e 57-të.
Kapiteni ynë i kombëtares është parë të dalë nga fusha duke çaluar, në krahët e stafit mjekësor të skuadrës së tij. Menjëherë është dhënë alarmi në Shqipëri, në kampin kuqezi, duke parë një rrezik për mungesë të lojtarit me më shumë ndeshje në kombëtare ndaj Serbisë, më 8 tetor 2015, në “Elbasan Arena”.
Sidoqoftë, një burim shumë pranë tij, i kontaktuar nga “telesport.al”, ka pohuar “Jo, nuk e besoj se rrezikon për ndeshjen ndaj Serbisë. Loriku ka pas dhimbje në kavilje, do të bëjë ekzaminimet e duhura, pastaj mund të flitet nëse ka diçka me rëndësi. Stafi mjekësor do të shohë këto ditë në vazhdim si do të ecë dëmtimi. Shqetësimin e ka në kavilje. Unë, që kam folur me të pas dëmtimit të djeshëm dhe e njoh mirë çfarë karakteri ka, them se do të jetë patjetër në dy kualifikueset e tetorit. Loriku ka luajtur me frakturë në vertebër për Lacion, jo më me kavilje të enjtur për kombëtaren.”
Ndërkohë, klubi i FC Nantes nuk ka nxjerrë asnjë informacion mbi lëndimin e Lorikut, në pritje të ekzaminimeve të duhura mjekësore, transmeton telesport. Sigurisht, kavilja e tradhëtoi kapitenin kuqezi në ndeshjen e fundit me skuadrën e tij, sepse filloi të dhimbte pas një përplasjeje me kundërshtarin, por dalja e tij nga fusha është bërë për të mos rrezikuar më shumë, kur dihet se çfarë sfidash me rëndësi e presin kombëtaren.
Ai është shtylla e mbrojtjes kuqezi, çka e tregoi edhe ndaj Danimarkës dhe Portugalisë. Edhe pse pa ekip deri në fillim të shtatorit, Cana bëri paraqitje mbresëlënëse në Kopenhagë dhe në “Elbasan Arena”. Kujtojmë atë top që ia hoqi nga këmbët sulmuesit Bendtner, kur ishte gati për të shënuar, apo “likujdimin” total të Kristiano Ronaldos në kthimin me portugezët.