Costa, super zbulimi i Bayern Munich

Lojtari që ka impresionuar te Bayern Munich këtë kampionat është braziliani Daglas Costa.
Bayern Munich ka funksionuar si një orë zvicerane deri tani, duke fituar çdo ndeshje të këtij sezoni e duke shënuar me lehtësi të jashtëzakonshme, edhe pse mungojnë dy lojtarë tepër të rëndësishëm për këtë skuadër, si anësorët e mesfushorët Franck Ribery e Arjen Robben.
Të gjithë lojtarët bavarez duken në formë të shkëlqyer dhe Tomas Muller e Robert Lewandowski po shënojnë pa fund, por në fakt zbulimi i madh i Bayernit këtë sezon është mesfushori brazilian Daglas Costa.
I blerë në verë nga Shakhtar Donetsk, 25-vjeçari ka dhënë dhjetë asistime në shtatë ndeshje kampionati deri tani, duke vendosur një rekord të ri, sepse asnjë futbollist në historinë e Bundesligës nuk ka arritur këtë numër në kaq pak ndeshje.
Muller u shpreh pas ndeshjes së fituar 3-0 ndaj Mainz se lojtari është i krijuar vetëm për të dhe Lewandowski.
“Daglas duket si i bërë me porosi për mua dhe Lewandowskin”, ka thënë ai.