Hapet konkursi për pranimin e studentëve, të UP-së në Qendrën e Studentëve
Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës (UP), përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka shpallë konkursin për pranimin e studentëve në konvikte për vitin akademik 2015/2016 me datën 03.09.2015 (e enjte), konkursi do të jetë i hapur deri më datën 11.09.2015 (e premte).
“Gjatë këtij viti Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës do të pranojë afër 3600 studentë, për të cilët ofron strehim, ushqim si dhe hapësirat për lexim,studim, sport dhe aktivitete tjera të ndryshme.
Duke qenë se Kosova tashmë ka një numër të madhë të studentëve dhe kapacitetet e Qendrës së Studentëve nuk janë të mjaftueshme për t’i mbuluar të gjitha kërkesat, janë vendosur kriteret për pranim, kriter themelor për të aplikuar është që kandidati të jetë studentë i rregullt në UP, nota mesatare e studentëve, largësia nga kryeqyteti,etj”, thuhet në njoftim.
Përparësi pranimi do të kenë studentët që vijnë nga kategoritë e ndryshme të luftës dhe me gjendje të rëndë sociale.
Çmimi do të jetë 35 € për muaj (20 € banimi, 15 € ushqimi).
Tashmë janë në përfundim përgatitjet për pritjen e studentëve të rinjë të cilët do të banojnë në Qendrës e Studentëve.
Vlerësojmë se janë krijuar kushte komode për studentë, sepse tashmë ofrohen shërbime që janë në interes të tyre dhe e bëjnë më të lehtë dhe më atraktive jetën studentore.