Lajme

Kujtesë historike: Arsimi shqip në Luginë të Preshevës në vitin 1991, cilat libra u kritikuan ashpër?

Më 18 maj 1991, në Preshevë u mbajt Tribuna tematike: Arsimi shqip në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të cilën e organizuan Komisionet e Arsimit, Kulturës dhe Informimit i Partisë për Veprim Demokratik, i Partisë Demokratike Shqiptare, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë-dega në Preshevë dhe Forumi i Intelektualëve Shqiptarë-dega në Preshevë.

Siç doli nga referimet dhe diskutimet në tribunë, arsimi shqip në këto tri komuna ishte në gjendje të vështirë dhe po i përjetonte gati të gjitha të këqijat dhe peripetitë e shkollave shqipe në ish-Jugosllavi, si në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni.

Në thumb të kritikës së tribunës, sidomos ishin disa plan-programe serbiane të lëndëve mësimore dhe disa tekste mësimore, ku shumë pak ose fare nuk u përfshin: kultura, gjuha, letërsia dhe historia shqiptare si dhe kur shkruhet për to, shkruhet në mënyrë joshkencore e poshtëruese, me çka u tha se tash e tutje nuk duhet të pajtohemi.

Në Tribunë u kritikuan ashpër tre tekstet e gjuhës dhe letërsisë shqipe për klasën e parë, të dytë dhe të tretë të shkollës fillore, për të cilat u tha se janë hartuar me porosi nga Beogradi dhe se nuk kanë vlera profesionale, artistike, pedagogjike, metodike.

Në Tribunë, poashtu u fol edhe për çështjet e udhëheqjes së administratës në shkollat shqipe sepse udhëhiqet shqip e serbisht, kurse në disa shkolla shqipe vetëm në gjuhën serbe dhe me alfabet qirilik.

Në fund të kësaj Tribune tematike u nxorrën disa konkluzione, të cilat duhet t’i paraprijnë aktivitetit dhe veprimit të mëtutjeshëm në procesin e zhvillimit dhe përparimit të arsimit shqip në këto treva:
– të respektohen të gjitha Konventat ndërkombëtare lidhur me të drejtën në arsim të të gjitha kombeve,
– të sigurohet pozita adekuate e dinjitetit moral dhe material e shkollës shqipe, në të gjitha shkallët e shkollimit,
– në të gjitha mjediset, shkollimi, komunikimi publik dhe administrative të bëhet në gjuhën amtare,
– plan-programet dhe tekstet mësimore të jene unike, për të gjitha shkollat shqipe dhe të hartohen nga institucionet më të larta shkencore shqiptare të Kosovës e jo nga individët e pakualifikuar për hartimin e tyre,
– në plan-programet dhe tekstet mësimore të përfshihet në mënyrë adekuate gjuha, letërsia, kultura, historia e tradita shqiptare,
– gjuha dhe letërsia serbe të mësohet si fakultative në shkollat shqipe,
– të merret aksioni për vijimin e rregulltë në shkolla, sidomos të vajzave shqiptare,
– të apelojmë tek arsimtarët e Shkollave shqipe për një punë vetëmohuese në procesin edukativo-mësimor, pa marrë parasysh vështirësitë të situatës politike, sepse edukojnë dhe arsimojnë fëmijët shqiptarë dhe
– të apelojmë tek prindërit dhe qytetarët shqiptarë që të kenë mirëkuptim ndaj punës, pozitës së vështirë materiale e morale të arsimtarëve dhe të jenë të gatshëm që punën e arsimtarëve ta përkrahin në çdo situatë që bie arsimi shqip.

SOT, SHTROJMË PYETJEN: SA PO REALIZOHEN NË SHKOLLAT SHQIPE KËTO KONKLUZIONE!?

Përgatiti: Xhemaledin Salihu-Preshevë

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button