Në Preshevë fillojnë mësimet 5623 nxënës, mungesa e teksteve mësimore brenga kryesore!
Në komunën e Preshevës filloi viti i ri shkollor, 2015/2016 në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, disa shkolla kanë nevojë për përmirësim të infrastrukturës ndërsa nxënësit ende ballafaqohen me mungesë të teksteve mësimore.
“Të gjitha shkollat në komunën tonë janë kryesisht në gjendje të mirë, por në disa ende ka nevojë për pak investime në mënyrë që nxënësit të jenë më komod në mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor, theksoi për Titulli.com Fadil Azizi, kryeshef për veprimtari shoqërore në kuvendin komunal të Preshevës.
Azizi thotë se në territorin e komunës së Preshevës funksionojnë njëzetë e gjashtë shkolla fillore.
“Në komunën e Preshevës ekzistojnë dy shkolla të mesme, gjimnazi “Skënderbeu” dhe shkolla e mesme teknike ”Presheva”, tetë shkolla amë me paralele të ndara dhe atë në Preshevë pesë paralele të ndara, në Rahovicë tre paralele të ndara në Corroticë një paralele e ndarë, në Leran tetë paralele të ndara, në Caravajkë shtatë paralele të ndara dhe në shkollën fillore “Vuk Karagjiq” në stacionin hekurudhor dy paralele të ndara”, deklaroi Azizi.
Sa i përket numrit të kuadrit arsimor nëpër shkolla, Azizi shprehet se numri i përgjithshëm i personelit në shkollat e komunës së Preshevës është 672, prej tyre 202 janë jashtë procesit arsimor, ku gjithsejtë numri arrin deri në 874, shkruan Titulli.com.
Duke folur për numrin e përgjithshëm të numrit të nxënësve fillore dhe atyre të mesëm në komunë të Preshevës vijojnë mësimet 5623 nxënës në të gjitha nivelet.
“Numri i nxënësve, cikli i ulët në shkollat fillore në komunën e Preshevës arrin në 1456 , 2029 nxënës të ciklit të lartë, gjimnazi ka 944 nxënës, ndërsa shkolla e mesme teknike “Presheva” i ka 1194 nxënës”, theksoi Azizi.
Në pyetjen e gazetarit se sa jeni të kënaqur me gjendjen në arsim, ai ka thënë se në përgjithësi gjendja në arsim është e mirë.
“Të gjitha shkollat i plotësojnë nevojat për ndjekje të procesit edukativo-arsimor, por në disa shkolla nevojitet pak investime për ta arritur qëllimin që edhe ato shkolla në masë të madhe t’i plotësojnë kriteret për mësim. Në shkollat nëpër fshatra kushtet janë të mira, komuna ua mundëson edhe transportin nxënësve për në shkollë, qoftë edhe për një nxënës, nga buxheti i komunës, gjegjësisht nga taksapaguesit tanë”, shtoi ai.
Sipas personelit arsimorë pengesë serioze ka qenë dhe ngelet mungesa e teksteve mësimore , të cilat në masë të madhe po ndikojnë edhe në kualitetin e mësimit dhe përgatitjes profesionale./Titulli.com/