Operatori serb 061 funksionon deri në Vushtrri
Me të mbërritur në Vushtrri nga Mitrovica, B.Rexhepovic ndërron kartelën e telefonit.
“Deri këtu funksionon 061, tash duhet me këta numrat e shtrenjtë të shqiptarëve”, thotë me shaka ai derisa mbështjellë me kujdes për ta ruajtur numrin e kompanisë “VIP mobile”.
Me këtë operator, i cili nuk figuron askund në listat e të lejuarve për operim në territorin e Kosovës, janë dhjetëra mijëra qytetarë në komunat veriore të Kosovës por edhe thellë në jug, që shërbehen. Një pjesë tjetër përdorin numrat e operatorit MTS, 064 dhe 065 ndërsa atë të Telenorit, edhe pse ka sinjal më të mirë në këtë pjesë të Kosovës, e përdorin shumë pak.
“Telenori po është shumë i shtrenjtë”, tregon për arsyen e braktisjes së këtij operatori Rexhepovic gjatë rrugës nga lagja e boshnjakëve në Mitrovicë në drejtim të Prishtinës.
Ai nuk është në dijeni se numri që përdorë tani nga viti i ardhshëm nuk do të jetë funksional, sipas marrëveshjes së arritur javën e kaluar në Bruksel mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
“Të gjithë operatorët ilegalë serbë të telefonisë mobile dhe fikse në Kosovë do të mbyllet pas 15 viteve të punës së paligjshme – nga fundi i luftës në Kosovë në vitin 1999. Thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare”, thuhet në marrëveshjen për telekomunikacion, transmeton Gazeta Fjala.
Institucionet e Kosovës tash e 16 vjet nuk kanë arritur të shtrijnë autoritetin e rregullatorit të telekomunikacionit në tërë territorin. Pavarësisht deklaratave dhe ankesave ndaj operatorëve ilegal, funksionimi i tyre nuk është penguar nga askush në këtë pjesë të Kosovës.
Me marrëveshjen e Brukselit, ministrja për dialog, Edita Tahiri ka bërë të ditur se operatorët ilegal do të zëvendësohen me një operator të përkohshëm, të cilit do t`i lejohet ofrimi i shërbimeve për qytetarët e komunave veriore.
Sipas saj, do të ofrohet një lejim i përkohshëm për një fushë veprimtari të kufizuar për një kompani të re që regjistrohet sipas ligjeve të Kosovës. Kjo nuk do të jetë një operator i tretë mobil në Kosovë, sepse për një gjë të tillë duhet tenderim ndërkombëtar me konkurrencë shumëpalëshe ashtu siç përcaktohet me ligjet e Republikës së Kosovës. Ky lejim i përkohshëm për këtë kompani do të vlej deri në hapjen e tenderit ndërkombëtar për operatorin e radhës.
Por, njohësit e ekonomisë në vend thoë për Gazetë Fjala se kjo formë e futjes në treg të një kompanie të telekomunikimeve nuk është aspak e drejtë dhe sidomos kur vjen si rezultat i një marrëveshje politike.
“Problemi esencial qëndron në faktin se cili do të jetë operatori që do të mbulojë pjesën veriore të vendit dhe vendbanimet me minoritarë serb në shumicë. Sipas dokumentit do të jetë telekomi i Serbisë, përkatësisht një njësi e sajë që do të regjistrohet dhe licencohet bazuar në ligjet e Kosovës”, thotë, Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale.
Por, kjo sipas tij, nuk mjafton, meqenëse ajo, megjithatë, do të jetë pjesë e telekomit serb dhe do të zbatoj politikat e kësaj kompanie.
“Madje, ky operatorë nuk do të licencohet përmes një gare konkurruese, por vjen si produkt i marrëveshjes politike”, thotë ai.
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka paralajmëruar më parë hapjen e një tenderi për telefonin e tretë mobile, pavarësisht se nuk janë dhënë shumë detaje për këtë çështje.
Vet Ekrem Hoxha, drejtor i Bordit të ARKEP pati thënë se për operatorin e tretë do të ketë një garë ndërkombëtare dhe nuk do të ketë kufizime për kompanitë që të aplikojnë.
“Është garë ndërkombëtare dhe nuk mund të ketë diskriminime edhe për operatorët serb”.
Ai ka thënë se ARKEP e ka përkrahur Qeverinë e Kosovës gjatë procesit të dialogut me këshillë dhënie në zbatim të ligjit, ndërkohë Hoxha kujton se tash e 15 vite sektori i telekomunikacionit është penguar në zhvillim normal, kryesisht si pasojë e operimeve të pa autorizuara të operatorëve serb.
Përveç kësaj, ARKEP, tash e tutje do të ketë edhe një barrë tjetër, sa i përket kodit të ri telefonik shtetëror, i cili i garantohet Kosovës në bazë të marrëveshjes së 25 gushtit.
“Austria do të aplikoj në emër të Kosovës për të kërkuar që ITU t`ja ndaj kodin telefonik Kosovës. Kosova do të ketë̈ të gjitha të drejtat shtetërore që të administroj me kodin e vet telefonik sikur gjithë̈ shtetet tjera. Autoriteti rregullator i Kosovës (ARKEP) do të bashkëpunoj me ITU për realizimin e kodit telefonik. Tash e tutje Kosova do të ketë̈ vetëm një kod; të gjitha kodet ekzistuese 381, 377, 386 do të kalojnë̈ në kodin 383”, thuhet në marrëveshje.
Me këtë thuhet se Kosova ka fituar sovranitetin kombëtar në fushën e telekomunikacionit, pasi kodi përcakton sovranitetin e saj të njohur ndërkombëtarisht dhe do të njihet në të gjithë botën.
Për më tepër, kjo marrëveshje hap rrugën për anëtarësimin e Kosovës në ITU.
Ndërkaq, përfitimet nga ky kod sipas përfaqësuesve të të dyja palëve në dialog janë të mëdha për shkak se operatorëve nuk do tu kërkohet më që të paguajnë një çmim të lartë financiare në mungesë të kodit telefonik.
Ky do të jetë fundi i humbjeve financiare të shkaktuara për shkak të mungesës së kodit kombëtar, që vlerësohet të kenë qenë mbi 200 milionë euro.