Përkujtohen dëshmorët e UÇPMB-së në Dobrosin
Në 15 vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Eqrem Hoxhës, Shkëlzen Krasniqit dhe Betim Berishës nga Prizreni, të shtunën, në vendin e rënies afër fshatit Dobrosin të Bujanocit, janë përkujtuar me pietet nga bashkëluftëtarët e tyre, duke u bërë homazhe dhe vendosur kurora lulesh.
Tre dëshmorët, Hoxhaj, Krasniqi dhe Berisha, 15 vite më parë u ishin bashkuar bashkëkombësve të tyre në luftën e Luginës.
Vepra e tyre sot u përkujtua nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliut, ish-shefi politik i UÇPMB-së, përfaqësues të OVL-së në Bujanoc si dhe bashkëluftëtarë e dëshmorëve.
Musliu, pas përfundimit të homazheve, për portalin informativ Titulli.com ka thënë se shpreson që vitet tjera të jenë më të mira për Luginën e Preshevës.
“Do të angazhohemi që në të ardhmen shoqatat të jenë më të konsoliduara, derisa gjakun e dëshmorëve nuk do ta harrojmë asnjëherë”, u shpreh Musliu.
Tre pjesëtarët e UÇPMB-së nga Prizreni, Eqrem Hoxha, Shkëlzen Krasniqi dhe Betim Berisha, ranë dëshmorë më 19 shtator të vitit 2000, në përplasjen e parë të drejtpërdrejtë me forcat policore e ushtarake të ish Jugosllavisë.
Nga dita e rënies, 19 shtator deri në muajin nëntor po të atij viti, në Luginë ishin zhvilluar luftime të ashpra, derisa pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc kishin arrit që të kontrollin rreth 60 përqind të territorit të Luginës së Preshevës. /Titulli.com/