Protesta në Preshevë, “Kosovë – Shqipëri duam drejtësi” (Foto, Video)
Qytetarët protestues kanë nisur marshin nga shkolla fillore dhe e mesme në Preshevë drejt sheshit të Dëshmorëve, para godinës së administratës lokale.
Ata tashmë po qëndrojnë në sheshin kryesor ku dikur qëndronte Lapidari i Dëshmorëve, i hequr me dhunë nga forcat e Xhandarmërisë së Serbisë.
Protestuesit shqiptarë po kundërshtojnë politikën shtetërore të Qeverisë së Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Zëri i tyre në ditën e sotme është ngritur edhe ndaj qeverisjes lokale në Preshevë, duke kërkuar sqarim prej kryetarit të kësaj komune për dhënien e mirënjohjes kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq, raporton Titulli.com.
“Kosovë, Shqipëri duam drejtësi”, “Të shtypur , të harruar”, “Rinisë punë, hajnisë dhunë”, “Vuçiq, një herë fashistë, gjithmonë fashistë”, “Kthe Lapidarin”, janë disa prej kërkesave të protestuesve shqiptarë, të cilët në momentin e raportimit nuk janë në numër shumë të madh.
“Jemi këtu kundër diskriminimit serb dhe pushtetit lokal, jemi këtu për të kërkuar drejtësi. Kjo protestë e përkrahur nga shumë organizata, ka për qëllim ngritjen e zërit për padrejtësitë tona që është duke u shkelur ky popull me shekuj”, tha kryetari i OVL-së së UCPMB-së në Preshevë, Nazmi Hajredini.
Ai tha se jemi edhe kundër udhëheqësisë sonë pasi me praninë e pushtetarëve tanë po shkelet mbi gjakun e dëshmorëve.
Protesta e sotme është organizuar nga OVL e UÇPMB-së dhe shoqëria civile. /Titulli.com/