Lajme

Ragmi Mustafa: Dita e sotme shënon një datë historike për Luginën

Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ka miratuar sot vendimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës

PRESHEVË (AA) -Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ka miratuar sot vendimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës, raporton Anadolu Agency.

Në vendimin të cilën e votuan 43 kuvendarë nga gjithsej 74 sa kishin qenë të ftuar nga komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, thuhet mes tjerash se arsyet për miratimin e këtij dokumenti janë të bazuara në vendimet e deritanishme të bisedimeve të qeverisë së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të Brukselit në të cilin janë anashkaluar në tërësi problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ku nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre legjitime mbi të drejtat kolektive dhe individuale.

Në fjalën e tij, kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa tha se dita e sotme shënon një datë historike për Luginën, pasi i hapë rrugë proceseve politike jo vetëm në Luginë, por edhe në Kosovë Shqipëri dhe Evropë.

Mustafa tha se gjatë negociatave të zhvilluara në Bruksel mes qeverive të Kosovës dhe Serbisë, politikbërja e Luginës është angazhuar maksimalisht që gjatë këtyre bisedimeve të merret në konsideratë edhe gjendja e shqiptarëve në Luginë.

“Është absolutisht normale, e logjikshme dhe proporcionale sepse kemi pjesën veriorë të Kosovës të banuar me shumicë serbe, pjesën Lindore të Kosovës të banuar me shumicë shqiptare, nëse do të vlejnë standarde të ngritjes në një shkallë më të lartë për serbet në veri të Kosovës pse të mos vlejë kjo edhe për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Është një parim i reciprociteti dhe i logjikës së shëndoshë, për të cilën as kori Diplomatik nuk ka mundur të thotë jo” tha Mustafa.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, nga ana e tij tha se kjo marrëveshje është mes tjerash në përputhje edhe me marrëveshjen e Konçullit të nënshkruar në vitin 2001, për të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

“Pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, arritëm në përfundim se edhe në shqiptarët në luginë duhet të miratojmë një dokument i cili do të na shpie në drejtim të mirë, për një jetë më të mirë në Luginë të Preshevës” tha Arifi.

Seancën e bojkotuan Partia për veprim Demokratik dhe Unioni Demokratik Shqiptar. Shaip Kamberi, deputet popullor në Parlamentin e Serbisë dhe nënkryetar i Partisë për Veprim Demokratik gjatë ditës së djeshme është shprehur se partia e tij e konsideron të rëndësishme ekzistimin dhe funksionimin e kuvendit të këshilltarëve shqiptarë si organ koordinues i qëndrimeve të subjekteve politike për çështjet strategjike, prandaj ai mendon se seancat duhet të përgatiten në mënyrë serioze e jo të mbahen vetëm për marketing politik.

Dokumenti i miratuar ngarkon sekretarët për hartimin e Statutit të Asociacionit i cili do të ketë fuqinë e njëjtë juridike me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe nëse ndryshohet statusi i serbëve në Kosovë, atëherë do të merret vendim për ndryshimin e statusit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës në përputhje Referendumit tub 1 dhe 2 marsit të vitit 1992.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button