Serbia bllokon librat e Kosovës në Luginë
Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës, ka dhuruar mbi 100 mijë libra shkollorë për nxënësit e shkollave fillore të Luginës së Preshevës.
Kanë kaluar më se dy javë që kur Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës, ka dhuruar mbi 100 mijë libra shkollorë për nxënësit e shkollave fillore të Luginës së Preshevës.
Por, librat ende nuk i kanë parë nxënësit, ata edhe më tej vazhdojnë që dijen e tyre ta nxënë përmes metodës së shënimeve.
Librat kanë hyrë në Serbi, për herë të parë legalisht, por autoritetet doganore po vazhdojnë t’i mbajnë ato në terminalin doganorë.
Prolongimi i procesit të doganimit të librave shkollorë të cilat u dhuruan për nxënësit shqiptarë në Luginë, sipas përfaqësuesve të Këshillit Nacional Shqiptarë, po bëhet me qëllim.
Sipas deputetit, Shaip Kamberi, mbështetja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga institucionet e Republikës së Kosovës, për Serbinë është e papranueshme.
Përkundër faktit se librat nuk përputhen plotësisht me plan programet arsimore serbe, megjithatë do të mund të gjenin aplikim. Por, ndalesa e tyre është problem politik, thuhet në Komisionin për Arsim.