Thaçi: Politikanët serbë flasin me gjuhën e Millosheviqit
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se reagimet e Serbisë për të pamundësuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO janë në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit.
Ai ka thënë se edhe gjuha me të cilën shërbehen zyrtarët serbë është e papranueshme.
“Mendoj se shumica e shteteve të UNESCO-s e vlerëson atë që ne nuk jemi të angazhuar në një kampanjë të ngjashme negative dhe që ta them të vërtetën, nuk me mbetet merak taktika serbe. Jemi të fokusuar në mbledhjen e votave për njerëzit e ri të Kosovës që të kenë mundësi të njëjtë si edhe te gjithë të rinjtë tjerë në botë duke marrë pjesë në trupin global që i kushtohet kulturës, arsimit, shkencës”, ka thënë Thaçi për të përditshmes serbe “Danas”.
Ai ka saktësuar se angazhimet e Kosovës janë të drejtuar në marrin e rekomandimit pozitiv të Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s në tetor, e më pas edhe shumicën prej dy të tretave për anëtarësim në nëntor.
Sipas tij, faza e fundit e marrëveshjes se Brukselit i referohet asaj që Serbia përfundimisht ta pranoj planin e Ahtisaarit, që tash po ndodh hap pas hapi, transmeton Indeksonline.
“Implementimi është thelbësor, e gjithashtu është e rëndësishme edhe sjellja në pajtim me marrëveshjen e Brukselit. Në Bruksel, qeveria serbe është treguar shumë e gatshme që të tregoj sjellje ndërfqinjësore ndaj Kosovës, kurse më pas në Paris apo në Nju Jork, ata edhe me tej e përdorin gjuhen e kaluar të Millosheviqit”, ka thënë Thaçit.
Ai ka përseritur se sistemi energjetik do të funksionoj në pajtim me ligjet e Kosovës, telekomunikacioni do të jetë i integruar në rregullatorin e Kosovës, kurse Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës.
“Kosova do t’i ketë Forcat e saja të Armatosura, sepse kjo nuk është vetëm dëshirë, por edhe tregues i domosdoshmërisë. Kemi marrë mjaft mbështetje nga NATO për forcat tona të sigurisë dhe evoluimin e tyre dhe tash gjithashtu e kemi përfunduar edhe Strategjinë e Sigurisë”, ka thënë ai.