Vajza rome nga Kosova, dikur refugjate, sot avokate dhe autore librash
Nizaqete Bislimi është në prag të botimit të një libri në gjuhën gjermane “Durch die Wand” (Përmes murit) i cili do të dalë në treg nga 24 shtatori
Në moshën 14 vjeçare Nizaqete Bislimi kishte shkuar si refugjate në Gjermani. Sot, ajo është avokate për të drejtat e azilantëve dhe autore librash.
Më 1993, atëbotë 14 vjeçare, familjes së vajzës shqipfolëse nga komuniteti rom në Kosovë, Nizaqete Bislimi për shkak të gjendjes së tensionuar në Kosovë, iu desh që të largohej nga vendlindja, një fshat i Komunës së Lipjanit. Bashkë me familje, ata shkojnë si refugjatë në Gjermani.
Prej asaj kohe, ajo ka arritur suksese të mëdha në Gjermani, shkruan shortnews.de, përcjell “albinfo.ch”.
Për pesë viteve ish refugjatja kosovare bëri shkollën e rregullt me sukses të lartë. Pastaj Nizaqetja studioi për juridik në Universitetin e Bochum-it. Për shkak të kushteve jo të mira, asaj iu desh që krahas studimeve edhe të punonte.
Sot ajo është 36 vjeçare dhe është avokate për të drejtat e azilkërkuesve në Essen.
Problemi i rregullimit të dokumenteve që ia shkaktonin autoritetet gjermane nuk ishte edhe rrugë e lehtë për të. “Martohu vajzë, ndryshe nuk ke shanse!” i kishin thënë asaj, transmeton “albinfo.ch”
Nizaqete Bislimi është në prag të botimit të një libri në gjuhën gjermane “Durch die Wand” (Përmes murit) i cili do të dalë në treg nga data 24 shtator. Në këtë libër ajo shpalos të gjitha vështirësitë dhe përjetimet që i kanë ndodh gjatë rrugëtimit jetësor të saj.
Romja e suksesshme nga Kosova, në intervista të ndryshme që i ka dhënë shtypit gjerman ka theksuar se deri sa ka qenë në Kosovë, si e vogël e ka ndjerë veten si pjesë e komunitetit shumicë, atij shqiptar, gjuhën e të cilit edhe e ka folur në familje dhe e ka mësuar në shkollë. Më vonë, në Gjermani, ajo thotë ta ketë kuptuar dallimin dhe i është dashur forcë e guxim të dalë hapur si rome e jo shqiptare.
– See more at: http://www.albinfo.ch/vajza-rome-nga-kosova-dikur-refugjate-sot-avokate-dhe-autore-librash/#sthash.i0T3SpQ5.dpuf