Viti ’99: Aktori i njohur Richard Gere viziton refugjatët kosovarë në Maqedoni (Video)
Në vitin 1999, kur shumë shqiptarë nga Kosova ishin dëbuar nga vendbanimet e tyre, një numër i madh i tyre ishin strehuar nëpër tenta në kampe të ndryshme të Maqedonisë, nën përkujdesjen e ndërkombëtarëve dhe organizatave të ndryshume humanitare.
Më 30 prill, 1999, aktori i njohur Richard Gere kishte filluar vizitën tek refugjatët kosovarë në Maqedoni. Aktori, i njohur edhe për mbështetjen që i kishte dhënë banorëve të Tibetit kundër Kinës, kishte kaluar tre ditë në Maqedoni.
Para mediave, Gere kishte thënë se dëshiron të vlerësoj situatën atje dhe të shikoj mundësitë se si mund t’iu ndihmojë refugjatëve kosovarë.
Gjatë një bisede të shkurtër me refugjaten kosovare nga Prishtina, Bernardinën, Gere ishte shokuar nga rrëfimet e saj.
“Për 11 ditë nuk kemi ngrënë asgjë në Prishtinë, dhe as nuk kemi pirë, sepse ishim të frikësuar”, i thotë Bernardina Richard Gere-it.
Gere më pas e pyet Bernardinën nëse do të ishte në gjendje të fal gjithë këtë dhimbje për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj gjendje.
“Nëse jemi të lirë kur të shkojmë në shtëpitë tona, do t’i falim të gjitha. Për liri, gjithçka”, kishte thënë ajo.
“Telefonova një mik timin në Dhomën e Përfaqësuesve, që është në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, dhe u thashë se këta njerëz nuk kanë para, duhet t’u jepni ca para. Ata kanë para për bomba, por jo për refugjatë. Ka ende shumë punë për t’u bërë”, kishte thënë Gere.