Opinione

“Zajednica” preshevare…

Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, gjatë këtij vikend – shtatori, ka formuar Asociacionin e komunave shqiptare në Serbi.

Akti i themelimit të këtij Asociacioni, sa do që u quajt historik, ai, nuk zgjoi interesimin e faktorëve relevantë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, për ta mbështetur e aq më pak për ta përgëzuar.

Pse?
Sepse në këtë seancë kuvendore, nuk morën pjesë gati gjysma e këshilltarëve shqiptarë në opozitë. Nga Komuna e Medvegjës, nuk mori pjesë asnjë këshilltarë shqiptar, për shkak zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe mandatit të tyre të skaduar, kurse nga Komuna e Bujanocit, nuk morën pjesë gati gjysma e këshilltarëve shqiptarë opozitarë. Kështu nga 74 këshilltarë shqiptarë sa numërojnë kuvendet komunale të Luginës së Preshevës, vetëm 43 sish morën pjesë aktive. Në fakt për formimin e “zajednicës shqiptare”, ka votuar një komunë e gjysmë.
Përveç mungesës së unitetit të këshilltarëve shqiptarë dhe subjekteve politike, këtij Kuvendi, i ka munguar debati paraprijës publik, tribunat dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile, bashkësinë fetare dhe faktorët e tjerë relevantë shqiptarë.
Po, Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, për shkak këtyre anomalive do t’i mungojë përkrahja dhe mbështetja institucionale të Tiranës, Prishtinës dhe ndërkombëtarëve.

Pse atëherë “Zajednica”?
Liderët institucionalë e partiakë të Luginës së Preshevë, ka vite që vuajnë nga përçarjet, mosdurimi partiak, nepotizmi, lokalizmi, krahinizmi etj.
Lakmia për të qenë të parë, ka liderë i ka bërë servilë ndaj shtetit ku ata jetojnë dhe veprojnë. Në një komunë e gjysmë shqiptarë, sot kemi më shumë institucione se sa bajraktarë.
Në Bujanoc e ka selinë Këshilli Nacional dhe Trupi Koordinues, ndërsa në Preshevë mund të vendoset kreu i “Zajdenicës” dhe pse mos të vihen në krye të saj Ragmi Mustafa?

Funksioni në katror
Nuk i takon moralisht, Jonuz Musliut, të jetë kryetar i “Zajednicës” edhe pse e ka merak dhe nuk do ta kundërshtonte, ngase është kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit multietnik dhe kryetar i Këshillit Nacional Shqiptar. Po ashtu, nuk i takon as Nagip Arifit, i cili është kryetar i Komunës së Bujanocit dhe nënkryetar i Trupit Koordinues.
Beogradi përmes këtyre funksioneve në katror, i kanë forcuar personalisht këta liderë politik, po nga ana tjetër
i ka shkatërruar nga brenda strukturat partiake, duke i ndarë në shumë krahë, klane dhe grupacione.
Meqë janë në prag zgjedhjet lokale në Serbi, akti i themelimit të “Zajednicës”, domosdo lidhet me propagandën parazgjedhore dhe reklamimet partiak, të cilave me të mëdha u ka rënë rejtingu.
Gabimet politike, mangësitë dhe defektet e tjera të qeverisjeve lokale, janë si pretekst i ngutjes së themelimit të “Zajednicës”, për t’i mbuluar humbjet, korrupsionin, nepotizmin etj.
Për ata që shohin më larg se hunda në politikë, aktin e themelimit të “zajednicës” e lidhin me shërbimet diplomatike të Beogradit, i cili edhe pse në parim e kundërshtoi, madje edhe e kërcënoi një akt të tillë, në heshtje po e zbarkon vëmendjen e opinionit nga “zajednica mitrovicase”, drejt “zajednicës preshevare”.

Humbësi më i madh nga këto lojëra pa kufij të lidershipit shqiptar në Luginë, është populli i shumëvuajtur i kësaj Lugine, të cilët i ra hise të ketë mbi shpinë gjithë diskriminimit qindvjeçar të Beogradit e në kohë të fundit edhe të liderëve të saj, të cilët për interesa të ngushta personale janë në gjendje të shkelin mbi gjakun dhe djersën e qytetarëve, të cilët i shërbyen me votën e besimit e nga ajo fituan vetëm mjerim, skamje dhe sakrifica shpirtërore e fizike.
Arsyetimet e votuesve të “zajednicës” se “Në nenin e tretë të këtij vendimi Asociacioni i komunave me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës, do të ketë fuqinë e njëjtë juridike me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës, duke u bazuar në parimin e reciprocitetit”.
Kjo është një rrenë e kulluar. “Zajednica preshevare”, nuk e ka as fuqinë juridike e as politike të një reciprociteti, që nuk ekziston. Serbët e Kosovës janë kategori kushtetuese e Kosovë dhe gëzojnë një përkrahje të fuqishme nga Beogradi dhe faktorët ndërkombëtarë, ndërsa shqiptarët në Serbi janë pakicë kombëtare, minoritet, komunitet si romët, boshnjakët, hungarezët etj.
Jo vetëm kaq. Shqiptarët në Serbi, janë të fundit në hapësirat etnik, që akoma nuk e kanë të zgjidhur ligjërisht përdorimin e lirë të simboleve kombëtare, dygjuhësisë dhe integrimit, ndonëse qe pesë vjet e kanë të formuar edhe Këshillin Nacional.

Copy paste
Liderët institucionalë të Luginës së Preshevës, janë imitues të keq të veprimeve të serbëve në Kosovë. Atyre u mungon origjinaliteti dhe pavarësia, por shkojnë copy past veprimeve të serbëve në Kosovë. Ky imitim i zbehtë i ka bërë këta liderë provincialë të shkojnë pas hapave të mëdhenjtë të liderëve serbë të Kosovës, të cilët e kanë bekimin e Beogradit, Prishtinës dhe Brukselit.
Është qesharake, madje cinike nëse “zajednica preshevare”, krahasohet me “zajednicën serbe” në Kosovë. Deri sa liderët serbë në Kosovë predikonin rrugën jashtë institucionale të zgjidhjes së problemeve me protesta, bllokim të rrugëve dhe krijimin e enklavave, liderët shqiptarë të Luginës krenoheshin me rrugën institucionale me mjete politike të zgjidhjes së problemeve në Serbi, duke marrë pjesë në të gjitha nivelet e zgjedhjeve dhe duke pranuar privilegje dhe ofiqe lokale dhe qendrore.
Edhe diçka, që nuk e keni ditur. Disa nga propaganduesit e “zajednicës” për shumë vjet rresht e kanë shfrytëzuar si kapital politik Referendumi e 1 dhe 2 mars 1992, për bashkëngjitje me Kosovën e më shumë kanë punuar për integrim në Serbi, pastaj janë betuar në vlerat e luftës dhe Marrëveshjen e Konçulit e kanë pranuar të bashkëqeverisin me ata, që deri dje i kanë masakruar dhe boshatisur nga trojet etnike, pastaj janë thirrur në Platformën e këshilltarëve shqiptarë të vitit 2006, për “definimin e Luginës së Preshevës si rajon i posaçëm politik, territorial dhe kushtetues, e në rast të mosrespektimit të parimeve të Grupit të Kontaktit dhe ndryshimit eventual të kufijve të Kosovës, do të angazhohen për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën”.

Mutivoda
Një ditë pas themelimit të Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, më 13 shtator 2015, numër baksuz, ndodhën zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Medvegjës.
Beogradi, ndonëse nuk veproi për ta bllokuar formimin e “zajednicës”, por në shenjë revanshizmi bllokoi depërtimin nga Kosova për në Medvegjë të votuesve. U desh të ngrihet në këmbë faktori institucional në Kosovë, Luginë dhe Bruksel, për t’i bindur autoritetet serbe, që zgjedhësve shqiptarët t’u lejohet e drejta kushtetuese e votës së lirë. Paramendoni, qytetarit nga Medvegja me dokumente identifikimi e me të drejtë vote për shtatë orë rresht, iu pamundësua qarkullimi i lirë për në shtëpinë e tij. E përfaqësuesit e “zajednicës”, në Mutivodë, kufiri Kosovë – Serbi, e panë efektin politik dhe fuqinë juridike, që ka dokumenti “historik”, të cilin e votuan me “Gëzuar!”…..

Se sa e duan shqiptarët Atdheun e tyre, u pa edhe gjatë procesit zgjedhor në Medvegjë, ata dolën me dy lista, ashtu të përçarë dhe të ndarë si gjithherë. E përçarja do të vazhdoj edhe pas zgjedhjeve, pas fitores së thellë të Vuçiqit, i cili edhe pse nuk ka nevojë për koalicione do t’i marrë në qeverisje këshilltarët e partisë së Nagip Arifit, duke lënë përfundimit në opozitë partinë e Riza Halimit, jo vetëm në Medvegjë, por në tërë Luginën, ose anasjelltas…E medvegjasit, të katandisur si mos më keq, tashmë mund të numërohen në gishtërinj, për ditë pak e më pak, e që numri i tyre nuk e kalon 600 banorë nga 3000 sish sa kishte dikur. Skeptikët luten, që mos të ndodh Medvegja edhe në Bujanoc, mbase mund edhe të ndodh, hiç nuk i dihet…

Gjithçka mund të ndodh, në ditët e sodit, kur liderëve të Luginës së Preshevës, nuk u pret “sëpata në një vend”. Ata as sot nuk e kanë të qartë për çka angazhohen: për Autonomi, status special, asociacion, apo bashkëngjitje me Kosovën, apo jo?
Prandaj, nuk është çudi pse “zajednicën” nuk e pranojnë faktorët relevantë, për shkak joseriozitet të veprimeve, mosunitet dhe defekteve të tjera shumë të këqija për ardhmërinë e një Asociacioni, që mjerisht në hapat e parë të saj është e privuar të dështoj, ashtu siç kanë dështuar edhe shumë iniciativa të kësaj natyre.

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button