Ia huq Berisha mendon se në Preshevë është shpallur autonomija!? (Video)
Një status në “Facebook” dje dhe një deklaratë në Kuvend sot e ish-kryeministrit Berisha lidhur me autonominë e Preshevës i ka habitur të gjithë, përfshirë edhe banorët e Luginës. Në një status në “Facebook” pasditen e djeshme, ish-kryeministri shkruante se “shqiptarët e Luginës së Preshevës, që janë njëkohësisht qytetarët apo minoriteti më i shtypur në Europë, shpallën mbrëmë në një mbledhje të të gjithë të zgjedhurve të tyre Autonominë e Luginës, si një reagim legjitim për të garantuar të drejtat e tyre të mohuara nga regjimi serb…”.
Berisha e ripërsëriti këtë informacion sot në seancën parlamentare, duke uruar të zgjedhurit e Preshevës për atë që e cilëson “akt historik”.
“Dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë të zgjedhurit e Luginës së Preshevës. Në një akt historik dhe me një përgjegjësi të lartë, ata shpallën dy ditë më parë autonominë e Luginës së Preshevës. Shqiptarët atje janë absolutisht më të shtypurit, më të diskriminuarit dhe me më pak të drejta në Europë”, tha Berisha.
Ndërkohë, në Preshevë askush nuk e ka dëgjuar lajmin për shpalljen e autonomisë. “Unë jam njoftuar nga mediat se, mbrëmë në “Facebookun” e tij personal ka shkruar se është shpallur autonomia në Luginën e Preshevës. Ne e dimë që është krijuar Asociacioni i komunave Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc më 12 shtator, kjo ka qenë edhe publike.
Do të thotë se publikisht janë bërë të gjitha aktet, të cilat janë kryer në Luginën e Preshevës. Po të kishim bërë edhe një akt të tillë, pse jo do t’i kishim ftuar edhe mediat, edhe miqtë tanë. Së pari do të kishim njoftuar sidomos Republikën e Shqipërisë, sikurse edhe atë të Kosovës, por edhe miqtë tanë që e përkrahin nismën tonë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian”, citon TCH Jonuz Musliun, kryetar i Këshillit Kombëtar.
“Shqiptarëve u duhet më shumë sesa kurrë uniteti tani. Duhet të jenë të bashkuar për zgjidhjen e problemeve të tyre në Luginën e Preshevës. Kjo u duhet më së shumti shqiptarëve, por edhe mbështetja nga Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, të cilat duhet të na qëndrojnë më pranë”, thotë më tej ai. Ndërkohë, edhe deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë thonë se nuk kanë dëgjuar për shpalljen e autonomisë nga ana e tyre.