Majlinda Kelmendi, e artë në Paris (Foto/Video)

Majlinda Kelmendi të shtunën ka fituar medaljen e artë në Turneun e Parisit në kategorinë nën 52 kilogramë.
Ajo shënoi fitore me Ipoon kundër zviceranes Eveline Tschopp, ndërsa dëshira për luftë u pa qysh në start të meçit.
Në një bisedë për “Insidethegames”, një ditë para meçit, Majlinda tha se pjesëmarrja në “Paris Grand Slam” është nder i madh dhe tha se çdo gjë po shkon për mrekulli.
“Për mua, është ngjarja më e madhe e xhudos. Vitin e kaluar fitova të artën në Paris dhe ishte ndjenjë e mire të shohësh 12 mijë spektatorë që nderonin himnin e Kosovës. Pas një kohe të gjatë, po kthehem pas një lëndimi ndërsa synimi im është të fitoj të artën në të gjitha garat e mia deri në Rio 2016 që është edhe qëllimi im”, tha ajo, transmeton Presheva.al.
Në garën e Parisit morën pjesë 84 shtete, që shënon edhe Grand Slamin e tretë të xhudos këtë sezon.