Lajme

Morina: Nuk jam terrorist

Unë nuk jam terrorist dhe nuk do të përleshesha me huliganët serbë në “Elbasan Arena”, prandaj më vjen shumë keq që jam ndaluar të jem i pranishëm në stadium për të parë ndeshjen 8 tetorit, tha tifozi i njohur. Nuk e ka pritur aspak mirë vendimin për ta përjashtuar nga ndeshja Shqipëri-Serbi, e cila do të luhet më 8 tetor 2015 në “Elbasan Arena”. Ballist Morina do ta ketë peng që nuk do ta përcjellë dot “live”, nga shkallët e stadiumit, sfidën e kthimit me serbët. Ai e ka pranuar vetë se ka ngritur dronin në Beograd, 14 tetorin e vitit të kaluar, duke e justiofikuar gjithçka si një reagim karshi vendimit të organizatorëve të ndeshjes për të mos lejuar asnjë tifoz shqiptar, asnjë simbol kuqezi në stadiumin e Partizanit të Beogradit. I vjen shumë keq që FSHF-ja dhe autoritetet e tjera shqiptare kanë pranuar ultimatumet e palës serbe, që ai të mos jetë në stadium ditën e ndeshjes. Diçka që nuk i është ndaluar deri më tani, as në grumbullimet e kuqezinjve, as në ndeshjet kualifikuese. Nuk iu ndalua, madje, as nga Danimarka në Kopenhagen, më 4 shtator, pavarësisht se Morten Olsen shfry ndaj tij. Kjo tregon se ka qenë kusht i serbëve, gjë për të cilën “njeriu i dronit” ndien keqardhje që është pranuar nga pala shqiptare. Ballist Morina tregon flamurin që shpalosi në Beograd gjatë një interviste për sponsorin zyrtar të kombëtares shqiptare Më shumë se kaq, përjashtimi i tij nga ndeshja e 8 tetorit, Ballist Morinës i ka ardhur keq që sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, e ka bërë publik këtë vendim. Sipas tij, nëse do të kishte mbetur ashtu në heshtje, do të kishte qenë gjysma e së keqes për të. “Unë nuk jam terrorist dhe nuk do të përleshesha me huliganët serbë në “Elbasan Arena”, prandaj më vjen shumë keq që jam ndaluar të jem i pranishëm në stadium për të parë ndeshjen 8 tetorit. Do të ishte më mirë që FSHF-ja, së bashku me Policinë e Shtetit, ta mbanin të fshehtë këtë vendim, duke mos e bërë publike. Për mua do të ishte gjysma e së keqes. Megjithatë, unë i uroj suksese kombëtares përballë serbëve dhe kualifikim në Europian”, – ka thënë “Ballisti”. Ndër të tjera, në konferencën e sotme për shtyp në FSHF, sekretari Ilir Shulku theksoi që Ballist Morina, ideatori i dronit të Beogradit, nuk do të jetë në stadium. “Ministria e Brendshme, pra policia e shtetit, së bashku me SHISH kanë akses në sistemin online, ku janë shitur biletat, dhe secili prej individëve që ka blerë një të tillë do të kontrollohet më parë nga ato për të marrë aprovimin ose jo të ndjekjes së ndeshjes në stadium. Kjo varet nga ato vetë, pasi personat me precedentë penalë nuk do të lejohen. Ndërsa, përsa i përket Ballist Morinës, me 100% e sigurtë që nuk do të jetë në stadium”.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button