Lajme

Njerëzit e Kosovës që ushtrojnë profesionin më të çuditshëm: Dhampirë që mbysin lugatë

Telegrafi ju sjell më poshtë një artikull që është botuar në shtojcën analitike “Lajm-Plus”, më 27 janar 2007. Shkrimi flet për familjen Kadrijaj – për njerëzit që ushtrojnë profesionin më të çuditshëm, të vrasësve të shpirtrave të këqij.
Në shtëpinë e Kadrijajve të Vërmicës trokasin përditë nevojtarë që sulmohen nga “forcat e padukshme” të lugetërve. Janë tre shekuj që nga kjo familje kanë dalë “dhampirët”, të cilët me fuqi të mistershme i largojnë forcat e këqija nga shtëpitë e njerëzve.

Këta e kanë trashëguar për tre shekuj zanatin më të përçudshëm që mund ta mendojë njeriu. Ata i quajnë dhampirovitë. Një pjesëtar i familjes Kadrijaj nga Vërmica gjithmonë e ka mbajtur bajrakun e frikshëm – të bëhej dhampir! Historia e çuditshme ka nisur me Jeminin, më shumë se 300 vjet më parë. Familjarët e sotshëm nuk dinë të tregojnë më shumë për këtë njeri, përveç emrit. Më pas, profesionin e “dhampirit” e ka trashëguar njëri prej djemve të Jeminit, Murati.

“Forcat e padukshme”

Familja e tyre është bërë e njohur, sidomos me një ngjarje që ka ndodhur në kohën e “kralevinës serbe”. Në familjen e “dhampirëve” në Vërmicë kishte ardhur me ngut një oficer i xhandarmërisë serbe, që e kërkonte me ngut Murat Kadrijajn. Ai kishte mbetur i vetmi shpëtimtar për fatkeqësinë që e kishte kapluar fshatin Strojekë, i banuar me serbë. Një kohë të gjatë, në shumë shtëpi të fshatit ndodhnin ngjarje të frikshme.

Gurët fluturonin nga qielli dhe binin mbi çatitë e shtëpive. Në dyert e shtëpive dëgjoheshin trokitje dhe kur njerëzit dilnin jashtë për të parë kush ishte, nuk shihnin asgjë. Kishte edhe shumë ndodhi tjera tmerruese, që i detyruan banorët të kërkojnë ndihmë nga autoritetet më të larta të asaj kohe. Shteti dërgoi njësite ushtarake dhe policore të cilat e rrethuan fshatin. Por, ata nuk arrinin t’i shihnin dhe t’i vrisnin “forcat e padukshme”, që i torturonin banorët.

Përditë shtohej paniku dhe disa nga banorët kishin nisur të mendonin për t’u larguar. Në gjithë këtë siklet, dikush kishte dëgjuar për “dhampirët” e Vërmicës. Murat Kadrijaj shkoi në fshatin serb dhe në fillim i bindi forcat ushtarake dhe policore që ta tërheqin rrethimin. Diku nga ora 12:00 e mesnatës, Murati që lunte rolin e dhampirit, kishte nisur betejën me lugetërit. Thuhet se ai ka praktikuar terapitë e frikshme deri në orët e mëngjesit. Pastaj, ai ishte kthyer i dërmuar në fshat dhe ua kishte transmetuar fshatarëve lajmin e gëzueshëm: lugetërit nuk do t’i ngacmonin dhe ata do të bënin jetë të qetë, një premtim që doli i vërtetë. Pas kësaj, autoritetet e kralevinës serbe i kishin njoftuar “dhampirovitët” se ata do të mund të praktikonin zanatin pa frikë dhe do të mund të kërkonin ndihmën e shtetit kurdo që do t’u nevojitej.

Kush bëhet dhampir, këtë e cakton “ëndrra magjike”

Ky nam e ka shoqëruar familjen e “dhampirovitëve” edhe në periudhën pas vdekjes së Muratit në vitin 1957. Pinjolli tjetër që e trashëgoi zanatin ishte Halili, njëri prej djemve të Muratit. Atij do t’i duhej ta barte misionin e rëndë të “dhampirit” deri në vitin 1987, kur vdiq. Përditë atë e thërrisnin nevojtarët që t’ua largonte lugetërit nga shtëpitë.

Njëra prej ngjarjeve më të çuditshme ka ndodhur në fshatin Rogovë të Hasit. Djali i Halilit, Salih Kadrijaj, tregon se në derën e shtëpisë së tyre kishte trokitur një fshatar që lutej i tmerruar që t’ua largonin lugetërit.

“Anëtarët e kësaj familjeje dëgjonin zhurma shurdhuese përfundi shtrojave. Nëpër shtëpi vërenin hije të çuditshme që i frikësonin pa masë”.

Salihi thotë se babai i tij ka shkuar atje dhe për afro dy orë është përballur me “lugatin” dhe në fund e ka mbytur. Pas vdekjes së Halilit, para njëzet vjetësh, roli i dhampirit i është besuar Ismetit, njërit prej katër djemve të tij. Ai thotë se kjo është një punë shumë e vështirë.

“Lugati ka një pamje shumë tmerruese. Mua më duhet ta shoh në këtë pamje, por është tepër vështirë për ta përballuar”.

Ai thotë se nuk mund të japë më shumë hollësi. Është fshehtësi e zanatit që nuk mund të tregohet.

Historia vazhdon…

Historia e famshme ka bërë që në shtëpinë e kadrijajve të vijnë pandërprerë nevojtarë që thonë se përjetojnë ankthe nga forca të padukshme. Megjithatë, në këtë familje thonë se këtë punë e bëjnë për qëllime bamirësie e jo për përfitime personale. Ata thonë se asnjëherë nuk ua caktojnë shumën e parave që duhet ta paguajnë.

Ismet Kadrijaj për shumë vjet punon në Gjermani. Gjatë kohës kur nuk është në Kosovë, në shtëpinë e tyre vijnë pandërprerë nevojtarë.

“Na mundemi vetëm t’ua japin ‘dheun’ që është pjesë e terapisë. Ky dhe njeriut duhet t’i sillet 27 herë. Megjithatë, kjo është vetëm terapia më e lehtë”, thotë Salih Kadrijaj.

Kështu, në familjen e “dhampirovitëve” krijohet një listë e gjatë e nevojtarëve që e presin Ismetin të vijë në pushime në Kosovë dhe t’ua zgjidhë hallin. Shumë prej nevojtarëve e kanë bërë një pyetje të vetme. Pse duhej ta prisnin Ismetin. Pse nuk e bënte këtë punë dikush prej familjarëve të tij.

Salih Kadrijaj thotë se misioni i “dhampirit” i besohet vetëm një anëtari të familjes, ndërsa tjerët vetëm mund t’i ndihmojnë.

“Vjen një kohë kur ai i cili është dhampir, e sheh një ëndërr në të cilën bëhet e qartë se cili prej djemve të rinj të familjes do të bëhet dhampir i ri”.

Katër djemtë e Ismet Kadrijat: Jetoni, Hekurani, Saipi dhe Shqiptoni janë duke pritur këtë vendim. Cili do ta marrë “kurorën e dhampirit”.

Këtë do ta vendosë “ëndrra magjike”. /Agim Fazliu/Telegrafi/

Ismet Kadriaj - Vampiri Fundit

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button