Selmani nga Maqedonia: Marrëveshjet Kosovë-Serbi të pranueshme me autonomi të Luginës së Preshevës
Naser Selmani, analist dhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe ndikimet në Luginë të Preshevës.
Ai përmes një postimi në facebook është shprehur se Anal-istat e disa mediave kosovare, hyzmeqarë të pushtetit të PDK dhe LDK, po ndërrojnë strategji, pas dështuan në përpjekjen qyqare për të bindur kosovarët se fajtore për dështimet e qeverisë është opozita, tash kanë nisur të zbatojnë një strategji tjetër të larjes së trurit të kosovarëve.
“Tash flasin për ndarjen e përgjegjësisë për krizën në Kosovë mes opozitës e pushtetit. More naçallnika, ku keni parë ju në vende demokratike opozita të mbajë përgjegjësi sepse kundërshton vendimet e qeverisë që dëmtojnë interesat e vendit?! “, deklaroi Selmani, shkruan Titulli.com.
Selmani pohoi se “naçallnikat” nuk kanë guxim të shkruajnë se krizën në Kosovë e ka shkaktuar pushteti duke nënshkruar marrëveshje me Serbinë, e cila i mundëson shtetit serb të instrumentalizojë pakicën serbe kundër shtetit të Kosovës dhe popullit shumicë.
Sipas tij kjo marrëveshje do të mund të ishte e pranueshme me kusht që Serbia menjëherë të njihte pavarësinë e Kosovës dhe qeveria serbe autonomi të njëjtë t’u njihte edhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës, transmeton Titulli.com.
“Kjo do ta bënte marrëveshjen të pranueshme për shqiptarët sepse do të vendoste raporte reciprociteti në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm kështu mund të detyrohet qeveria serb të respektojë Kosovën dhe interesat e saj. Në të kundërtën, Kosova sa herë do të jetë inferiore në raportet me Serbinë dhe kurrë nuk do të mund të sfidojë politikën agresive të shtetit serb kundër shqiptarëve në përgjithësi”, theksoi Selmani.