Vucic jep sinjale se Kosova do të hiqet nga Kushtetuta e Serbisë
Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vucic në një ligjëratë para studentëve në Beograd, ka paralajmëruar ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë. Siç dihet, në Kushtetutën e Serbisë, Kosova është pjesë e këtij shteti. Vucic nuk e ka përmendur këtë fakt, por ka thënë se ndryshimi i kushtetutës serbe duhet të ndodhë për shkak të integrimeve të Serbisë në Bashkimin Europian.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic, ka thënë se do të detyrohet ta ndryshojë kushtetutën e vendit, si kusht i vënë nga Bashkimi Europian.
Në një ligjëratë me studentë në Beograd, ka thënë se ky ndryshim i kushtetutës së Serbisë, do të përfshijë edhe zvogëlimin e deputetëve në Parlament, por nuk ka përmendur nëse me këtë ndryshim do ta largojnë Kosovën si pjesë integrale të Serbisë.
“Këtu duhet të ekzistojë një konsensus i plotë, duhet të bisedojmë me të gjithë, është e pakuptimtë që për këtë të vendosin dy-tri parti, por duhet përfshirë edhe shoqëria civile dhe faktorët tjerë rajonal”, ka thënë Vucic në ligjëratën e zhvilluar në fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për ndryshimin e sistemit politik, kryeministri serb ka thënë se do të dëshironte që numri i deputetëve të ulej në 150 nga 250 sa janë aktualisht.