Lajme

VV: Dënon arrestimin e të rinjëve shqiptarë nga Bujanoci

Lëvizja Vetëvendosje dënon aksionin e sotëm të policisë së Serbisë lidhur me arrestimin e të rinjve shqiptarë nga Komuna e Bujanocit. Veprimet e autoriteteve serbe janë tipike të regjimeve policore, të cilat përdorin policinë dhe gjyqësinë në emër të shtetit ligjor.

Në Serbi, çdo ditë përdoret gjuha e urrejtjes mbi baza kombëtare, racore dhe fetare; e veçmas ndaj shqiptarëve. E kjo jo vetëm nga mediat e regjimit, por edhe nga zyrtarët më të lartë shtetëror, të cilën organet e gjyqësisë i inkurajojnë me heshtjen e tyre. Ato aktivizohen vetëm se kur ka të bëjë me shqiptarët. Madje në këto raste, reagon edhe vetë Ministri i Punëve të Brendshme do të thënë se së shpejti do të ngriten aktakuza. Pra, Qeveria ndërhynë direkt në sistemin gjyqësor.

Autoritetet serbe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ndaj përgjegjësve të vërtetë që para syve të organeve të rendit, inkurajuan dhe organizuan brohoritjen “për vrasjen e shqiptarëve” të dhjetëra mijëra tifozëve serbë në Beograd me rastin e ndeshjes futbollistike Serbi-Shqipëri. Thirrjet e tilla, gjithsesi të dënueshme dhe të papranueshme, janë brohoritur edhe në Bujanoc nga pjesëtarë të komunitetit serb pas ndeshjes Shqipëri-Serbi në Elbasan, e organet serbe nuk kanë reaguar.

Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se arrestimi i sotëm i shqiptarëve në Bujanoc është vazhdimësi e politikës së shtypjes dhe të diskriminimit shtetëror të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ngjashëm me metodat e përdorura nga regjimi i Millosheviqit në fillesat e pushtetit të tij për t’i vazhduar ato. Prirjet për kriminalizimin e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe arrestimi i tyre me metoda të drejtësisë politike është në funksion të frikësimit dhe të dëbimit të tyre nga trojet e tyre.

Duke ftuar lidershipin lokal shqiptar për bashkërendim politik kundër këtij diskriminimi shtetëror, dhe Tiranën e Prishtinën zyrtare për kundërshtimin e këtyre metodave të Serbisë; apelojmë bashkësinë ndërkombëtare që të bëjë trysni ndaj Serbisë për t’i braktisur metodat policore dhe për të realizuar të drejtat legjitime të shqiptarëve të asaj ane, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button