Normalizohet qarkullimi edhe pse nuk zvoglohet shumë numri i emigrantëve
Në qendrën e pranimit të refugjatëve në Preshevë asgjë nuk ka ndryshuar që prej kur Serbia vendosi që të përforcoj kontrollimet e emgriantëve në kufi me Maqedoninë.
Në qendrën e pranimit ka rreth 500 emigrantë që po presin regjistrimin në polici, por ky numër ndryshon çdo orë, ndërsa në nivel ditor regjistrohen rreth 4000 deri 5000 persona, ka deklaruar sekretari i kryqit të kuq në Preshevë Ahmet Alimi.
Alimi ka thënë se në krahasim me muajin nëntor kur kanë kaluar çdo ditë mbi 8000 persona, ky numër është përgjysmuar, por asgjë nuk ka ndryshuar nga nata kur Serbia vendosi që të hyjnë vetëm refugjatë që vijnë nga vendet me konflikt.
“Gjithçka është normale përveç inteniztetit që ka rënë në krahasim më herët kur në ditë regjistroheshin 7000 deri 10000 njerëz, tani intenziteti ka rënë për 50%. Gjithçka po shkon normalisht, njerëzit po marrin letrat, policia po i kontrollon, vijnë të marrin ushqim tek ne dhe ikin tutje, askush nuk qëndron në Preshevë” ka thënë Alimi.
Sipas tij, kryqi i kuq në Preshevë ka ndarë 24 orët e fundit rreth 2000 racione ushqim.
Rruga e bllokuar që ka qenë për javë të tëra drejt stacioni hekurudhor tashmë është normalizuar dhe janë larguar barrierat nga policia.