Komuna e Preshevës nuk merret me problematikën e refugjatëve
Komuna e Preshevës gati është përjashtuar nga situata e ardhjes së refugjatëve që kalojnë përmes Preshevës dhe drejtuesit komunal thonë se ata pakë ndihmojnë në këtë drejtim e se nuk është kompetencë e tyre.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Ramiz Latifi gjatë një prononcimi për Portalin Titulli.com thotë se ekzistojnë organizatat tjera ndërkombëtare dhe ministria përkatëse që merret me problematikën e refugjatëve.
“Për t’u kujdesur për refugjatët tani është kompetent Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale dhe UNHCR-ja. Edhe lokacionin për sistemimin e tyre e ka caktuar Ministria në fjalë“ tha Latifi.
Ai gjithashtu potencoi se gjendja në terren është e vështirë sidomos gjatë ditëve të ftohta.
“Refugjatët janë tani në gjendje të vështirë, meqenëse po afrohet edhe stina e dimrit dhe koha ftohet. Sa i përket ndihmave nga komuna për refugjatët, mund të them se Komuna e Preshevës nuk e ka asnjë projekt, apo ndonjë konkluzion të dalë nga kuvendi për t’i ndihmuar tani refugjatët“, theksoi Latifi.
Në anën tjetër nga zyra e shërbimit për situata të jashtëzakonshme pranë kuvendit komunal të Preshevës thonë se deri më tani janë ndarë vetëm 500 mijë dinarë.
“Nga muaji qershor i këtij viti komuna e Preshevës për refugjatët ka ndarë një vlerë prej 500.000 dinarëve, të cilat mjete janë të harxhuara kryesisht për ushqim dhe sigurimin e toaleteve mobile fillimisht tek lokacioni prapa shkollës fillore“, deklaroi Nexhmedin Ahmedi drejtues i zyrës për situata të jashtëzakonshme.